Në Shqipëri u njoftua sot numri më i ulët i të prekurve të rinj në 24 orët e fundit qysh nga fillimi i marsit kur nisi pandemia e COVID-19.
Autoritetet shëndetësore bënë të ditur se janë zbuluar vetëm 6 raste të reja nga testimi i 182 personave të dyshuar.
Deri tani janë zbuluar 383 raste me COVID-19 nga 2753 raste të dyshuara.
22 qytetarë kanë humbur jetën, ndërsa 131 të tjerë janë shëruar. Qytetet më shumë të prekura janë Tirana, Shkodra dhe Durrësi.
Në dy spitalet COVID janë të shtruar 74 vetë, 14 nga të cilët janë në terapi intensive.
Po sot Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi se strategjia e zgjedhur nga Shqipëria për testimin e Covid-19 bazohet në ekspertizë, sipas rekomandimeve të OBSH për zbulimin e rasteve, ndjekjen dhe ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit.
“Kjo strategji e mirëpërcaktuar synon të identifikojë rastet, të ndjekë dhe të ndërpresë zinxhitin e transmetimit të infeksionit, dhe nisur nga rezultatet e derisotme, nuk gjejmë asnjë arsye për ta rikonsideruar” - thuhet në deklaratën e Komitetit Teknik.
Ai vlerësoi se masat shtrënguese të ndërmarra nga autoritetet shqiptare janë të dobishme në terren si dhe për punën hetimore të mjekëve, por duhet bërë kujdes maksimal, që të mos zhbëhen prej lehtësimeve që mund të rezultojnë të parakohshme.
Komiteti Teknik i Ekspertëve tha se rezultatet deri më sot ishin inkurajuese, por në të kundërt, nëse masat dhe strategjia e sotme nuk do të ishin marrë, sistemi shëndetësor shqiptar do të gjendej në një kolaps.
“Sistemi ynë shëndetësor nuk gjendet në asnjë lloj presioni prej Covid-19” - thuhet në deklaratën e sotme të Komitetit, i cili reagoi kështu pas kërkesave të opozitës për të shtuar testet.
Policia dhe ushtria vazhdojnë të mbajnë bllokuar qarkullimin rrugor ndërqytetës, dhe po gjobisin qytetarët dhe shoferët që shkellin rregullat e izolimit në komunitet.