Në SHBA, numri i të prekurve me koronavirus e ka kaluar shifrën 55 mijë, me më shumë se 800 të vdekur. Vetëm qyteti i Nju Jorkut numëron rreth një të tretën e të gjitha rasteve të konfirmuara me COVID-19. Zyrtarët kanë bërë thirrje që çdo person që ka udhëtuar në Nju Jork të vetizolohet. Presidenti Donald Trump, tha gjatë një interviste në Fox News se ai "do të donte që në më pak se tre javë, vendi të jetë gati për t’iu rikthyer punës, por zyrtarë të tjerë nuk janë dakord.
Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetit thotë se Shtetet e Bashkuara mund të bëhen epiqendra globale e pandemisë së koronavirusit, qyteti i Nju Jorkut po mban peshën më të rëndë. Kryetari i Bashkisë Bill de Blasio thotë se në fakt vetë qyteti është "qendra" e pandemisë në SHBA:
"Nuk dua që ne të jemi epiqendra por ne jemi epiqendra e kësaj krize në vendin tonë.”
Ndërkohë disa banorë të Nju Jorkut ende i shikon në Parkun Qendror duke shijuar ditët e hershme të pranverës.
"Nuk është se jam e shqetësuar. Në fakt unë vetë po bëj diçka. Po u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të familjes sime që të qëndrojnë në shtëpi. Nëna ime është 80 vjeç dhe ne e duam shumë. Prandaj i lutem të gjithëve të qëndrojnë në shtëpi," thotë Grace Sardell, e cila kishte nxjerrë qenin për shëtitje.
Megjithëse në park ka njerëz, ata duket se respektojnë rregullat e distancimit social, duke bërë aktivitete të tilla si vrapim apo ngarje biçiklete.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se njëra nga dy anijet spitalore të Marinës do të dislokohet në brigjet e Nju Jorkut për t’u ardhur në ndihmë të prekurve. Tjetra do të dërgohet në Los Angeles. Presidenti Donald Trump thotë se anijet po përgatiten me shpejtësi.
Gjatë një interviste të martën në Fox News, ai tha se "do të donte që vendi t’i rikthehej punës përpara festës së Pashkëve", që janë më pak se tre javë larg. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, De Blasio, nuk është dakord.
"Duhet ta them hapur se ne nuk presim që kjo të kalojë shpejt. Kam pasur disa biseda këtë javë me Presidentin Trump dhe sigurisht e respektoj postin e tij… Por megjithë respektin, nuk jam dakord kur ai thotë se nuk duhen muaj që kriza të kalojë”, tha zoti De Blasio.
Ndërkaq në Pentagon, Gjeneral Mark Milley, kreu i shtatmadhorisë amerikane tha gjithashtu se pandemia e koronavirusit mund të zgjasë tre muaj dhe se çrregullimet në mënyrën e punës dhe të jetesës mund të vazhdojnë deri në korrik.
Edhe Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha se gjendja me koronavirusion do të kapërcehet “në një periudhë muajsh”.
Të dy ata thanë se e bazonin vlerësimin e tyre tek "një shumëllojshmëri modelesh" që lidheshin me periudhën e përhapjes së virusit në vendet e tjera.