Në Shqipëri u shënua një tjetër rast vdekje i një personi të prekur nga koronavirusi. Bëhet fjalë për një 71 vjeçar nga Kuçova, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë. Shkon kështu në 3 numri i viktimave, pas atij të një gruaje 64 vjeçare nga Durrësi dhe një 73 vjeçari nga Fieri.
I sëmuri, "vuante nga kanceri në mushkëri, në stad tejet të avancuar. I trajtuar më herët në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, prej 7 ditësh ishte shtruar në spitalin Infektiv dhe gjatë mbrëmjes pati një komplikacion të menjëhershëm kardiak arterial”, shpjegoi ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës “71-vjeçari vuante nga disa sëmundje shoqëruese: kancer mushkërie, diabet mellitus, fibrilacion arterial dhe hypertension”.
Your browser doesn’t support HTML5
Më herët gjatë ditës, autoritetet shëndetësore njoftuan sot numrin më të madh të personave të prekur nga COVID-19 si dhe numrin më të madh pacientëve të shtruarve në 24 orë. Nga 33 teste të reja u zbuluan 13 raste të reja, ku për herë të parë shtohet në hartën e sëmundjes edhe Korça me 3 qytetarë të prekur. Po ashtu në Tiranë u shtuan edhe 8 qytetarë, në Kavajë 1 dhe në Durrës 1. Në Spitalin Infektiv janë të shtruar 43 persona, nga të cilët 9 u shtruan 24 orët e fundit, ndërsa 3 pacientët e parë e lanë spitalin. 4 prej të shtruarve janë nën terapi intensive, në gjendje mesatarisht të rëndë, ndërsa pjesa tjetër janë në gjendje të qëndrueshme. Mosha mesatare e pacientëve të shtruar është 54 vjeç.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, informon mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri tha se deri tani janë testuar gjithsej 804 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë 89 raste me COVID-19.
Ajo shtoi se 58% janë meshkuj dhe 42% janë femra, ndërsa mosha mesatare e pacientëve me COVID-19 është 48 vjeç. Tirana është më e prekura me 63 qytetarë, Fierni me 8, Durrësi me 6 qytetarë, Kavaja e Korça me nga 3, Lushnja, Rrogozhina dhe Elbasani me nga 2 qytetarë secila.
Janë shënuar deri tani dy raste humbje jete.
Nga dje në mesditë Shqipëria është krejt e mbyllur në banesa, ndërsa policia dhe ushtria kontrollojnë kanë bllokuar të gjitha rrugët dhe sheshet.