Koronavirusi, dy të shëruarit e parë në Shqipëri

Në Shqipëri, shënohen dy personat e parë të prekur shëruar nga koronavirusi. Bëhet fjalë për babain e 28 vjeçarit të kthyer në fund të muajit shkurt nga Firence e Italisë dhe një tjetër person, po ashtu një kontakt i të riut, të cilët kanë rezultuar negativë dhe në testin e dytë.

I pari që dha njoftimin, mbrëmjen e së premtes, ishte kryeministri Edi Rama i cili shprehu “mirënjohje me përunjësi mjekëve të spitalit Infektiv”, ku të dy personat e shëruar kanë qëndruar për t’u kuruar.

Më pas dhe ministrja Ogerta Manastirliu shkroi në Facebook se “dy pacientë të hospitalizuar do të bëhen gati të lënë spitalin Infektiv, pas testit konfirmues”. Ata megjithatë do të duhet të vijojnë të qëndrojnë në vetëkarantinim.

Lexoni edhe këtë Koronavirusi prek edhe Shqipërinë

Ministrja Manastirliu i mëshoi sërish nevojës që qytetarët të bëjnë sa më shumë kujdes. “Të prekurit po shtohen, spitali Infektiv ka sot katër pacientë në terapi intensive dhe numri i të shtruarve po rritet dita-ditës”, theksoi ajo në postimin e saj.

Po mbrëmë ministrja firmosi një urdhër të ri që ndryshin oraret e lejuara për lëvizjen e qytetarëve. Nëse këto ditët e fundit lëvizjet ishin të lejuara në mëngjes nga ora 06:00 deri në 10:00 dhe pasdite nga ora 16:00 deri 18:00, duke filluar nga e shtuna orari i lëvizjes do të jetë nga ora 05:00 deri në orën 13:00. DO të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre vetëm pikat e shitjes me pakicë dhe shumicë të prodhimeve ushqimore, pikat e tregtimit të barnave dhe materialeve mjekësore si dhe institucionet financiare.

Ndërsa këtë fundjavë, duke nisur nga ora 13:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit të së hënës, gjithshka do të jetë e ndaluar, përfshirë jo vetëm qarkullimin, por dhe dyqanet e çdo lloji. Në rrugë, siç njoftoi kryeministri Edi Rama, do të jenë vetëm forcat e ushtrisë dhe policisë, të cilat që të premten ishin angazhuar për të urdhëruar mbajtjen e distancës mes qytetarëve që prisnin në radhë për të bërë furnizimin me ushqime.

Your browser doesn’t support HTML5

Në Shqipëri, shkoi në 70 numri i të prekurve nga COVID-19

Deri të premten, numri i rasteve më koronavirus ka shkuar në 70 të infektuar. Autoritetet shëndetësore njoftuan edhe për 6 raste shtesë në 24 orët e fundit. Dy persona kanë ndërruar jetë nga fillimi i situates.

Pesë raste të reja janë rregjistruar në Tiranë, dhe 1 në Fier. Tirana është më e prekura me 50 raste, Fieri me 7 të prekur, Durrës ka 5 raste, Lushnja, Elbasani, Kavaja dhe Rrogozhina me 2 raste secili.

Në spitalin Infektiv të kryeqytetit, numri i të shtruarve me COVID-19 shkoi në 35 pacientë nga Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani dhe Rrogozhina.