Koronavirusi, qeveria paraqet planin 370 mln dollarësh

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama, paraqiti mbrëmë planin e ndërhyrjes financiare për të përballuar situatën e rënduar të krijuar si pasojë e përhapjes së koronavirusit. Bëhet fjalë për një plan prej 370 milion dollarësh që parashikon nga njëra anë fonde për forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor apo për ndërhyrje humanitare dhe nga ana tjetër, fonde në favor të mbështetjes së biznesve të voglave dhe shtresave më në nevojë.

Por përpara se të bënte prezantimin e masave, kryeministri theksoi disa herë se bëhet fjalë për një situatë tejet të vështirë dhe të paparashikueshme për kohëzgjatjen e saj. “Në këtë luftë të hatashme për nga forma e për nga forca goditëse e armikut, të ardhurat e shtetit, të shtëpisë së madhe ku jemi të gjithë të mbyllur brenda, do të bien në një pikiatë po aq të hatashme! Dhe, më dëgjoni me vëmendje, pikërisht pse nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo mbyllje absurde në shtëpi, nuk dimë dot as se deri në çfarë pike të ulët do të na bien të ardhurat. Prandaj, plani ynë për të shpenzuar teksa punojmë shumë më pak se dje dhe detyrimisht do të kemi në buxhetin e shtëpisë sonë të madhe shumë më pak të ardhura se sa do të kishim po të vazhdonim punën normalisht, nuk mund të jetë në asnjë mënyrë një plan për t'i kënaqur të gjithë sot dhe për t'i lënë të gjithë me gisht në gojë nesër”, deklaroi kryeministri.

Ndërsa u shpreh që në fillim se nuk kishte ndërmend të zbukuronte një situatë të ngarkuar me rreziqe, fjalimi i zotit Rama ishte larg të qenit me tone optimiste. Përkundrazi. Ai përmendi dhe skenarët më të zymtë që mund të shfaqen në horizont. “Plani ynë i financimit të luftës, nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të jetë një plan i vetëm, po një plan A, me një plan rezervë B dhe me një plan tjetër rezervë C! Nëse armiku pastaj nuk do të largohet për gjashtë muaj pastaj dhe do të vijë puna tek nevoja e një plani D, atëherë Zoti i madh i shqiptarëve na ndihmoftë po qe se ata që i dinë të gjitha, nuk do ta kenë zbuluar deri atëherë se çfarë forme ka një plan D”.

Shtatë pikat e planit financiar

1) 2.5 miliardë lekë, ose 25 milionë dollarë për luftën në vijën e zjarrit, që vihen në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë, për pajisje e materiale mjekësore apo mbështetje të stafeve mjekësore.

2) 10 miliardë lekë, ose 100 milionë dollarë, përmes instrumentit të një garancie sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve.

3) 6.5 miliardë lekë, ose 65 milionë dollarë për nevojat më imediate: Për shtresat më në nevojë; Për biznesin e vogël; Për papunësinë e mundshme për shkak të luftës

4) 2 miliardë lekë, ose 20 milionë dollarë, që vihet në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, për Operacionin Humanitar.

5) 1 miliardë lek, ose 10 milionë dollarë, si fond rezervë për Këshillin e Ministrave, për cdo urgjencë të paparashikueshme.

6) Do të fshijmë përgjithmonë kamatvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë apo biznes i vogël, me efekt financiar deri në 15 miliardë lekë, ose 150 milionë dollarë. Nga kjo masë do të përfitojnë 211 mijë e 24 abonentë.

Do të riskedulojmë në 6 mujorin e dytë të vitit 2020 dhe në vazhdim, tatim fitimin për të gjithë biznesin deri në fashën nga 2 deri në 14 milionë lekë, ose nga 20 deri në 140 mijë dollarë xhiro.

Shtyrja e dorëzimit të bilanceve për një periudhë deri në 1 qershor të këtij viti për bizneset që dorëzojnë bilancet në QKB online ose drejtë për drejtë.

7) Asnjë pagë tjetër përveç pagave të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët deri në mbarimin e luftës do marrin vetëm gjysmën e rrogës.

Për këtë pikë, kryeministri tha se për të shmangur çdo keqkuptim, nuk do të kërkohej përgjysmimi i pages së Presidentit të Republikës, “të cilit haka e do që t'i bëj një falenderim publik, për faktin se qyshse kemi hyrë në këtë luftë, po ndihmon si e sa mundet”.

Reagimi i Presidentit Ilir Meta ishte i menjëhershëm. “Sa i përket trajtimit financiar të Presidentit të Republikës, ai do të shkurtohet në të njëjtën mënyrë, si dhe për zyrtarët e lartë të shtetit, të parashikuar në planin e bërë publik”, deklaroi zoti Meta përmes një postimi në Facebook, ndërsa tha se “përshëndes mbështetjen financiare të bërë publike nga Kryeministri”. Zoti Meta shtoi se “ftoj Qeverinë të përcaktojë sa më parë kriteret e ndihmës për biznesin dhe familjet më në nevojë. Inkurajoj gjithashtu konsultimin me grupet e interesit për të bërë transparente detajimin e fondeve, për t'u dhënë përgjigje të menjëhershme nevojave emergjente të qytetarëve”.