Autoritetet shëndetësore regjistruan edhe 5 raste shtesë nga 32 teste të reja, me COVID-19, duke e rritur numrin e të prekurve në 64 nga 60 dje, midis 697 testeve gjithsej.
Tre nga rastet e reja janë shtetas italianë, që gjenden në Shqipëri. Ndërsa dy rastet e reja janë nga Kavaja, një 80 vjeçar dhe një 42 vjeçar.
Tirana është më e prekura nga 45 raste, Fieri me 6 të prekur, Durrës ka 5 raste, Lushnja, Elbasani dhe Rrogozhina me 2 raste secili.
Në Spitalin Infektiv numri i të shtruarve me COVID-19 shkoi në 32 pacientë nga Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani dhe Rrogozhina.
Tre pacientë janë në terapi intensive, ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të qëndrueshme.
Javën e kaluar ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit një 73 vjeçare e sapokthyer nga Italia, ndërsa dje u shënua viktima e dytë nga koronavirusi një 66 vjeçar nga Lushnja. Të dy ata ishin me sëmundje të shumta kronike të mëparshme nga mushëkrtitë, zemra dhe veshkat.
Shqipëria ka bllokuar qarkullimin rrugor dhe atë këmbësor në të gjithë territorin qysh nga ora 10 e mëngjesit. Janë mbyllur gjithë udhëtimet ajrore, detare e tokësore ndërkombëtare me vendet fqinje dhe Europën. Shkolla, kopshte e çerdhe, bare, restorante, hotele, stadiume, dhe salla koncertore, palestra sportive janë bllokuar, madje dhe parqet natyrore, ku ndalohet qarkullimi i këmbësorëve.
Your browser doesn’t support HTML5