Në Shqipëri, u shënua sot viktima e dytë nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se “mëngjesin e sotëm ndërroi jetë pacienti i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ishte në gjendje të rëndë, në respirim të drejtuar në reanimacion”.
Your browser doesn’t support HTML5
Bëhet fjalë për një 66 vjeçar nga Lushnja, i cili rezultoi pozitiv në datën 11 mars dhe prej disa ditësh ishte i shtruar në shërbimin Infektiv, në gjendje të rëndë.
“Pacienti vuante nga disa sëmundje shoqëruese: insuficenca kardiake, edemë pulmonarë dhe insuficencë renale”, shpjegoi ministria në njoftimin e saj.
Rasti i parë i vdekjes së një personi të prekur nga koronavirusi, u rregjistrua javën e shkuar në Durrës, ku humbi jetën një grua 73 vjeçare edhe ajo me patologji të mëparshme.
Ndërkohë, duket se është drejt shërimit kontakti i parë i atij që është konsideruar si rasti "0" në Shqipëri.
Testi i zhvilluar dje e nxorri atë “negativ” ndaj koronavirusit. Nëse brenda 48 orëve dhe testi i dytë do të rezultojë po “negativ”, atëherë ai do të mund të konsiderohet si personi i parë i shëruar.
Janë testuar edhe 60 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19, duke e rritur numrin e të prekurve në 59 nga 55 dje, midis 665 testeve gjithsej.
Tre janë raste kontakti nga të sëmurët e mëparshëm në gjendje të mirë shëndetësore dhe një rast i ri, një pacient 66-vjeçar që po trajtohet në terapi intensive në spitalin infektiv në QSUT.
Tirana është më e prekura nga 42 raste, Fieri me 6 të prekur, Durrës ka 5 raste, Lushnja, Elbasani dhe Rrogozhina me 2 raste secili.
Në Spitalin Infektiv numri i të shtruarve me COVID-19 shkoi në 30 pacientë nga Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani dhe Rrogozhina.
Tre pacientë janë në terapi intensive, ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të qëndrueshme.