Në kronikat televizive nga vendet ku është përhapur koronavirusi mund të shohësh mjaft njerëz që mbajnë maska kirurgjikale në fytyrë. Por ekspertët e shëndetësisë thonë se maskat nuk janë mbrojtja më e mirë ndaj koronavirusit dhe se ekzistojnë mënyra të tjera më të efektshme për të ruajtur veten dhe të tjerët nga infektimi.
Ndërsa koronavirusi vazhdon të përhapet, njerëzit po nxitojnë të blejnë maska mbrojtëse dhe furnizimi e ka të pamundur të mbulojë kërkesën.
Kjo i ka shqetësuar agjencitë e shëndetit publik.
"E kuptoj se përse kaq shumë njerëz nxitojnë për të blerë maska. Por ne nuk duam që personeli ynë i kujdesit shëndetësor të mbetet pa maska. Ky do të ishte një problem vërtet serioz për të gjithë sistemin tonë shëndetësor," thotë Dr. Leana Wen, e Universitetit George Washington.
Sipas Dr. Robert Redfield, Drejtor në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, "Këto maska nuk kanë asnjë rol për njerëzit në komunitet. Ato duhet të përdoren me përparësi për punonjësit e kujdesit shëndetësor, si pjesë e punës së tyre, si dhe për individët që kanë virusin dhe janë në izolim shtëpiak ose në karantinë, për ata anëtarë të familjes."
Mbajtja e masakave jo domosdo e pengon infektimin.
"Nëse mban maskë, ke një sens të rremë sigurie," thotë Dr. Donald Milton, i Universitetit të Marylandit
Kjo, për shkak se viruset bien mbi sendet që njeriu prek gjatë ditës: karrige, doreza dere, kartmonedha…
"Ajo që mund të bëjmë për t’u mbrojtur është të lajmë duart shumë, të mos prekim fytyrën, të mos japim dorën kur takohemi dhe të mos rrimë në një mjedis me ventilim të dobët ku ka një të sëmurë, si makinat apo taksitë,” thotë Dr. Milton.
“Të marrim masa që mjediset tona të jenë të ajrosura mirë. Nëse jeni ulur në një makinë me dritaren mbyllur, ju në fakt ricikloni frymën tuaj dhe atë të të gjithë të tjerëve në makinë."
Dr. Milton thotë se një person i infektuar duhet të ketë maskë, për të mos lejuar lëshimin e virusit në ajër përmes frymëmarrjes:
"Kjo ndodh me spërklat që dalin nga hunda ose goja juaj dhe shkojnë te dikush tjetër.”
Pikërisht kjo është arsyeja se përse Institutet Kombëtare të Shëndetit dhe Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve thonë se disa rregulla fare të thjeshta mund të ndihmojnë në frenimin e virusit.
"Masat e përditshme si mbulimi i gojës kur teshtin, qëndrimi në shtëpi kur je i sëmurë dhe natyrisht, ajo që dihet, larja e duarve,” thotë Dr. Anne Schuchat, Zëvendës Drejtore e CDC.
“Masat kryesore janë fare të thjeshta. Lani duart shpesh. Mbuloni gojën dhe hundën me krah ose bërryl kur kolliteni ose teshtini”, thotë Tom Frieden, Ish Drejtor i CDC.
"Pra, lani duart, mos jepni dorën kur takoheni dhe të sëmurët të përdorin maskë,” është këshilla e Dr. Milton.