Gara e demokratëve, përçarje mes krahut progresiv dhe atij të moderuar

  • Jim Malone

Partia Demkrate e gjen veten në udhëkryq në një kohë kritike në ciklin e zgjedhjeve amerikane të vitit 2020. Senatori i Vermontit, Bernie Sanders, një socialist i vetë-deklaruar, udhëheq garën për të marrë emërimin e partisë, megjithë paralajmërimet e demokratëve të moderuar se Sanders do ta çonte partinë në humbje në nëntor kundër Presidentit Donald Trump. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, në thelb të dilemës së demokratëve është një përçarje e thellë mes krahut progresiv dhe atij të moderuar të partisë.

Përçarja mes krahut liberal dhe atij të moderuar u shfaq në mënyrë të qartë në debatin e fundit të demokratëve në Karolinën e Jugut, të transmetuar nga kanali CBS News.

Udhëheqësi i garës, Bernie Sanders mbrojti vizionin e fushatës së tij se qeveria duhet të marrë udhëheqjen për të përmirësuar jetën e të gjithë amerikanëve.

"Kjo ekonomi nuk po punon për popullin amerikan, është një ekonomi që funksionon për një përqindshin e popullatës. Ne do të krijojmë një ekonomi për të gjithë, jo vetëm kontribuesit e pasur të fushatave zgjedhore."

Por Sanders u prit me mjaft kundërshtime në debat nga kandidatët e moderuar që kanë frikë se emërimi i tij do ta çonte partinë në një humbje të sigurt ndaj Presidentit Trump në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Ish-Kryebashkiaku i South Bendit, Pete Buttigieg ishte në mesin e atyre që i ranë këmbanave të alarmit.

"Nëse mendoni se katër vitet e fundit kanë qenë kaotike, përçarëse, toksike, rraskapitëse. Imagjinoni të kaloni pjesën më të madhe të vitit 2020 duke ndjekur përballjen e senatorit Bernie Sanders me (Presidentin) Donald Trump. Mendoni se si do të dukej kjo për këtë vend."

Por Sanders dhe mbështetësit e tij thonë se suksesi i tij tregon se partia demokrate është zhvendosur në të majtë që nga viti 2016 dhe po tërheq më shumë votuesë të rinj dhe më të angazhuar.

"Unë mendoj se ai ka forcë. Ai ka një bazë njerëzish të cilët do ta mbështesin atë pavarësisht statusit të tij dhe pavarësisht nëse ai do të ketë shanse për të fituar apo për të dalë i dyti në shtetet, ku do të mbahen zgjedhjet paraprake në ditët e ardhshme. Kështu që ai është në një pozitë mjaft të fortë”, thotë analisti John Fortier nga Qendra e Politikave Dypartiake.

Por, me rritjen e mbështetjes për senatorin Sanders, po rritet edhe shqetësimi i demokratëve të moderuar si Jim Kessler.

"Nëse i mbledhim votat për kandidatët e moderuar në zgjedhjet paraprake të mbajtuara deri tani, kuptohet se më shumë njerëz kanë votuar për të moderuarit. Për të fituar një kandidat i moderuar, numri i kandidatëve nga ky krah duhet të konsolidohet".

Kandidatët e moderuar si Buttigieg, ish nënpresidenti Joe Biden, senatorja e Minesotës Amy Klobuchar dhe ish kryebashkiaku i Nju Jorkut Michael Bloomberg besojnë se Trump dhe përkrahësit e tij republikanë do të ishin të gëzuar nëse Sanders do të merrte emërimin e partisë demokrate.

"Ata do të jenë në gjendje të shfrytëzojnë senatorin Sanders dhe disa nga qëndrimet e tij të së kaluarës për çështjet si kujdesi shëndetësor falas për të gjithë, kështu që unë mendoj se është një objektiv shumë më i madh politik për republikanët që të kenë për kundërshtar një kandidat si Bernie Sanders", thotë analisti Matt Dellek nga Universiteti George Washington.