Në SHBA, ligjvënësit po punojnë për një marrëveshje dypartiake që do të siguronte miliarda dollarë fonde emergjence për të frenuar përhapjen e koronavirusit në botë. Demokratët e Kongresit kanë kritikuar administratën Trump për një përgjigje të koordinuar dobët, duke e cilësuar të pamjaftueshëm propozimin e Shtëpisë së Bardhë për vetëm 2.5 miliardë dollarë fonde. Por siç njofton Katherine Gypson e Zërit të Amerikës, zyrtarët shëndetësorë i siguruan ligjvënësit se përpjekjet e SHBA po japin rezultat.
Your browser doesn’t support HTML5
Në Kaliforni, shfaqja e rastit të parë me koronavirus në vend pa asnjë lidhje me burime të jashtme e ka rritur trysninë ndaj ligjvënësve amerikanë për të marrë masa.
Pas një jave mesazhesh kontradiktore të administratës Trump, Zëvendës Presidenti Pence mori drejtimin e përpjekjeve për t’iu përgjigjur kërcënimit.
"Ne do të përdorim të gjithë forcën e qeverisë për t’u përballur me këtë. Presidenti dëshiron ta bëjë të qartë se çfarë përparësie është kjo për të dhe për administratën tonë," tha zoti Pence.
Por kostot e paparashikuara për koronavirusin do të kërkojnë para shtesë nga Kongresi, duke bërë që demokratët të dilnin pa humbur kohë për të thënë se vetë zoti Trump është përpjekur të shkurtojë programet që do të ishin të nevojshme në këtë rast.
"Kush shkurtoi 35 milion dollarë nga fondi i reagimit të shpejtë për sëmundjet infektive? Presidenti Trump. Kush shkurtoi 85 milion dollarë nga fondi i emergjencës për sëmundjet infektive? Presidenti Trump. Kush shkurtoi 120 milion dollarë nga programet për gatishmërinë dhe reagimin në çështjet e shëndetit publik? Presidenti Trump. Dhe kush thjesht propozoi shkurtimin me 16% të buxhetit të Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve që është agjensia për luftimin e këtyre lloj viruseve? Jo demokratët. Jo media. E bëri Presidenti Trump", tha senatori demokrat Chuck Schumer.
Presidenti Trump kandidon këtë vjeshtë për rizgjedhje dhe republikanët i akuzojnë demokratët se po luajnë politikë me një krizë ndërkombëtare.
“Koronavirusi nuk do t’ia dijë për ciklet e grindjeve partiake apo lajmet politike. Kjo sëmundje e re nuk mund të presë derisa ligjvënësit të shfryjnë dufin, gjë që mund të na çonte më larg e jo më afër rezultatit."
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila është përpjekur të qetësojë njerëzit duke vizituar një qendër të komunitetit kinez në distriktin e saj, tha se ligjvënësit janë afër një marrëveshjeje:
"Ne duhet të jemi të gatshëm për të punuar në një mënyrë dypartiake në Kongres si dhe me administratën, për të arritur qëllimin e duhur. Në lojë është jeta e njerëzve. Nuk është koha për të vënë gishtin te dikush ose për të luajtur politikë," tha zonja Pelosi.
Zyrtarët e shëndetësisë që informuan ligjvënësit mbi masat e SHBA, thanë se publiku nuk duhet të frikësohet, edhe pse priten më shumë raste.
"Rreziku për publikun amerikan është i ulët. Ne kemi një strategji agresive të frenimit që ka funksionuar realisht deri më tani në 15 raste në Shtetet e Bashkuara. Deri në rastin e sapo shfaqur në Sacramento, nuk kemi patur asnjë rast të ri gjatë dy javëve. Besoj se do të shohim raste të reja," thotë Dr. Robert Redfield, i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve.
Lëvizja e shpejtë e virusit po detyron shumë ligjvënës të pranojnë se askush nuk e di se sa para do të duhen, 2,5 miliardë dollarë siç propozon presidenti, apo 8,5 miliardë që është propozuar nga demokratët e Senatit.
"Ne thjesht duhet të garantojmë se shkencëtarët tanë dhe njerëzit në vijën e parë, veçanërisht ata që janë në sistemet e shëndetit publik dhe në spitalet e vijës së parë do të kenë burimet dhe mbështetjen e duhur," thotë Ami Bera, ligjvënës demokrat.
Megjithë mosmarrëveshjet politike, ligjvënësit shpresojnë ta miratojnë fondin shtesë deri nga mesi i marsit.