Qeveritë evropiane përgatisin plane për përhapjen e mundshme të koronavirusit

Qeveritë evropiane po përgatisin planet për të përballuar një epidemi të mundshme të koronavirusit, megjithëse numri i rasteve është ende i vogël krahasuar me Azinë.

Zyrtarët në disa vende e pranojnë se presin që virusi i ri, që ka infektuar të paktën 80 mijë vetë dhe shkaktuar vdekjen e 3 mijëve në gjithë botën, të përhapet dhe thonë se po hartojnë plane për të anuluar aktivitete sportive dhe koncerte, të reduktojnë shërbimet e transportit publik, të vendosin kufizime udhëtimi dhe të mbyllin shkolla.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian vazhdojnë të shpresojnë që vendet anëtare të mos vendosin kontrolle kufitare brenda zonës së Shengenit, por e pranojnë se reagimi i qeverive të vendeve do të varet nga përmasat e krizës së shëndetit publik.

Disa ekspertë të shëndetësisë thonë se është koha për të marrë masat për një pandemi të mundshme dhe dyshojnë se numri i rasteve në Evropë është shumë më i madh nga ai që dihet.

Shërbimet shëndetësore në Britani po planifikojnë të shtojnë analizat për sëmundjen që quhet zyrtarisht COVID-19, duke përfshirë edhe njerëz që nuk kanë udhëtuar në vende me rrezikshmëri të lartë dhe nuk kanë shfaqur simptoma.

Deri tani ka pasur 13 raste të identifikuara në Britani.

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se nuk do të ishte befasuese nëse identifikohen raste të reja.

“Sipas parashikimeve aktuale, 2-3% të rasteve me simptoma do të rezulojnë në viktima”, thanë zyrtarët qeveritarë në një raport.

Sipas ekpertëve qeveritarë, përqindja e infeksioneve do të rritej për dy ose tre muaj, nëse virusi fillon të përhapet.

Ndërsa Italia po kthehet në një vatër të re për virusin, shumë vende fqinjë thonë se nuk kanë alternativa të tjera veçse të planifikojnë për një epidemi të mundshme, nëse parandalimi dhe frenimi nuk I ndalin infeksionet.

Ministrat e shëndetësisë nga Franca, Gjermania, Italia dhe Komisioni Evropian shprehën angazhimin për t’i mbajtur kufijtë hapur, në një takim të martën.

“Po flasim për një virus që nuk njeh kufij”, tha Ministri Italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock tha se qeveria e Britanisë nuk ka plane të ndalë fluturimet nga Italia.

“Italia i ndali të gjitha fluturimet nga Kina e megjithatë është tani vendi më i prekur në Evropë”, tha ai.

Por nuk është ende e qartë nëse vendet anëtare janë në një mendje për çështjen e kufirit. Në fillim të muajit, disa vende anëtare këmbëngulën për kufizim të hyrjes në zonën e Shengenit nga udhëtarët nga Kina, por meqenëse disa nga vendet nuk ishin dakord, kjo përpjekje dështoi me argumentin se kufizimet nuk do të kishin kuptim nëse të gjitha vendet nuk vepronin në harmoni.

Disa zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se nëse vende të veçanta fillojnë të vendosin kufizime për lëvizje brenda vendeve të tyre, atëherë është e pashmangshme që me kalimin e kohës disa qeveri të fillojnë të vendosin kontrolle të përkohshme të njëanshme në kufijtë me vendet e tyre.

Vendet evropiane po marrin gjithashtu masa për një epidemi të rëndë të mundshme brenda kufijve të tyre, pavarësisht se çfarë planesh po bëjnë fqinjët e tyre.

Zvicra, Austria, Kroacia dhe Spanja shënuan rastet e para në mes të javës dhe shumica infeksioneve e kanë burimin në Itali, kur mbi 10 qytete në veri të vendit, janë në karantinë për të parandaluar përhapjen.

Përhapja në Itali ku ka mbi 300 raste dhe 12 vetë kanë vdekur, shërbeu si një kambanë alarmi për vendet fqinjë.

Franca dhe Kroacia kanë urdhëruar anulimin e programeve të studimeve jashtë vendit dhe po ndryshojnë oraret e trenave, si edhe po vendosin post-blloqe.

Ekspertët po u bëjnë thirrje qytetarëve t’i shqyrtojnë me kujdes planet e udhëtimit. Nathalie MacDermott, eksperte e sëmundjeve infektive në Kolegjin King në Londër, tha se gjithkush që udhëton në Itali ose vende të tjera të prekura, duhet të pyesë veten: “A jam e përgatitur që nëse vendos të shkoj, kur të kthehem mund të më duhet të vetëizolohem për 14 ditë. A janë punëdhënësi dhe shkoalla e fëmijëve të mi në dijeni dhe a do të jetë e pranueshme për ta?”, thotë ajo.

Kompanitë evroipiane, ashtu si edhe ato amerikane, po hartojnë planet që punonjësit e tyre të punojnë nga shtëpia. Në Azi, një gjë e tillë ka filluar.

Në Japoni javën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë i nxiti bizneset që të ofrojnë mundësinë për të punuar nga shtëpia dhe për të shkurtuar orët e punës, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.