Në Gjirokastër u zhvillua sot një ceremoni në nderim të qindra të burgosurve politikë që humbën jetën dhe vuajtën dënimet më të ashpra në burgun e kalasë së këtij qyteti. Krahas një akademie kujtimore në hyrje të Kalasë u vendos një pllakatë nderimi që do të shërbejë edhe për t`i njohur vizitorët me këtë pjesë të historisë.
Your browser doesn’t support HTML5
Burgu politik në Gjirokastër funksionoi nga viti 1946 deri ne vitin 1953 dhe ishte cilësuar si një prej më të tmerrshmëve për shkak të kushteve të izolimit dhe trajtimit të të brugosurve. Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë, Institut i Studimeve të Krimeve të Komunizmit dhe Fondacioni “Konrad Adenauer” po mbështesin përpjekjet për të sjellë në vemendje të opinionit shqiptar krimet e pandricuara gjatë regjimit komunist.
Në një akademi kujtimore të mbajtur në mjediset e Kalasë, kryetari i Shoqatës së të përndjekurve Nebil Çika tha se viktimat në këtë burg ishin te shumta dhe dyshohet se ne rrethinat e kalasë ndodhet edhe një varrezë masive.
Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi mori pjesë në ceremoni dhe tha se historia duhet respektuar. Ish deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj tha se nderimi për viktimat e komunizmit në Shqipëri ishte një përgjegjësi e madhe e shoqërisë shqiptare.
Ndersa Drejtori i Institutit të Studimeve të krimeve të komunizmit Çelo Hoxha tha se aktivitete të tilla janë mjaft të rëndësishme për t`u lënë brezave atë pjesë te historisw që nuk është ndri çuar.
Sipas të dhënave historike burgu i Kalasë së Gjirokastrës gjatë regjimit komunist pasonte atë të ndërtuar po në kala nga mbreti Zog. Burgu kishte një kapacitet prej 350 vetësh por me mbipopullim herë pas here deri në 750 persona dhe me kushte mjaft të vështira izolimi ku të burgosurit humbnin jetën nga sëmundjet, i ftohti dhe lagështira.
Në këtë burg vuajti dënimin Arshi Pipa, dramaturgu Ethem Haxhiademi dhe mjaft personalitete që u burgosën gjatë regjimit komunist.