Ikona amerikane e ushqimit fast food, McDonalds, ka mbushur 30 vjet që kur hapi dyert në Moskë - një moment me efekte të ndjeshme për kalimin e Bashkimit Sovjetik nga komunizmi në ekonominë e tregut.
Me shumë bujë, "Harqet e Arta" u hapën për herë të parë në Sheshin e famshëm Pushkin të Moskës në dimrin e vitit 1990.
Rreth 38,000 sovjetikë qëndruan në radhë me orë të tëra për të parë atë për të cilën kishin dëgjuar, por që kurrë nuk e kishin përjetuar - një hamburger të McDonald's.
Kështu u vendos edhe rekordi i kompanisë për numrin më të madh të klientëve të cilëve u është shërbyer ndonjëherë brenda një dite.
"Kishte një radhë të madhe dhe nuk mbaj mend se sa kohë, por qëndruam për një kohë të gjatë ...", thotë Vladimiri, banor i Moskës.
Çelja ishte e lidhur thellësisht me tregun dhe reformat demokratike nën Perestroikën e udhëheqësit të atëhershëm sovjetik Mikhail Gorbachev.
“Kishte të gjitha këto liri të reja: në ato që mund të thonim, ato që mund të lexonim, dhe thjesht në përgjithësi. Dhe po, McDonald ishte gjithashtu një simbol i asaj lirie", thotë Mikhail, banor i Moskës.
“Ishte një simbol i Perëndimit. Një lloj simboli i lirisë amerikane", thotë Antoni, banor i Moskës.
Ironia ishte se kjo pjesë e supozuar e Amerikës në zemër të Moskës ishte realisht… kanadeze: një detaj që ndihmoi në zbutjen e marrëveshjes me autoritetet sovjetike.
"Të qenit kompani kanadeze i dha një ndjesi neutraliteti të tërës dhe kjo sigurisht na ndihmoi", thotë Marc Carena, i McDonald's në Rusi.
Pasi u nënshkrua marrëveshja, filloi me shpejtësi punësimi - rreth 600 rusë u përzgjodhën mes 30,000 aplikantëve.
Sveltana Polyakova, një nga punonjëset e para, ishte e ngazëllyer kur u përzgjodh.
"Isha duke qëndruar në Rrugën Tverskaya duke pritur autobuzin nën shenjën e ndritshme të McDonald's, dhe qaja nga gëzimi! Ja kisha arritur të bëhesha pjesë e kësaj", thotë Svetlana Polyakova, tashmë Drejtore e Marrëdhënieve me Publikun, në kompaninë McDonald's në Rusi.
Në fakt, trashëgimia më e qëndrueshme e McDonald’s në Rusi mund të qëndrojë në prezantimin e shërbimit të stilit perëndimor.
U punësuan rusë të moshave të reja sepse ata nuk ishin ndikuar shumë nga kultura e shërbimit të zymtë sovjetik, thonë punonjësit e hershëm të kompanisë.
"Na pyetën, a mund të buzëqeshni tetë orë rrjesht? Të gjithë thamë 'po, sigurisht' duke mos ditur sa e vështirë është kjo”, thotë Anna Patrunina, ish-arkëtare, tashmë Zv.Presidente e Operacioneve.
Buzëqeshja - një ngrohtësi që ofrohej lehtësisht brenda shtëpive sovjetike - thjesht nuk ishte pjesë e jetës publike në atë kohë.
"Dallimi më i madh ishte se kishte kaq shumë buzëqeshje, të cilat mungonin në Bashkimin Sovjetik. Rusët janë njerëz shumë të sjellshëm, por ne nuk buzëqeshnim shumë atëherë", thotë Tamara, banore e Moskës.
Kompanitë e tjera perëndimore të ushqimit fast food do të ndiqnin me shpejtësi presionin e Gorbaçovit për reforma demokratike të tregut ... dhe shërbim më të mirë.
Me restorante, fast food-e dhe bare tani kaq të gjithëpranishme...,"shërbimi me buzëqeshje" është... diçka që mezi vërehet.