Tiranë, ambasadorja amerikane Kim vë theksin te lufta ndaj korrupsionit

Lufta që Shqipëria duhet të bëjë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe vendosmëria e saj për sundimin e ligjit duket se do të jetë objektivi parësor i ambasadores amerikane Yuri Kim.

Në fjalën e mbajtur të enjten në mbrëmje, në pritjen e mirëseardhjes, ajo theksoi se kjo lidh në mënyrë të pashmangshme tre përparësitë e ambasadës amerikane.

“Prioriteti im i parë është ta ndihmoj Shqipërinë të bëhet aleate më e aftë e NATO-s dhe një bastion më i fortë sigurie. Shqipëria po punon për të qenë edhe një udhëheqëse në Ballkan për luftën kundër terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm. Së dyti theksoi ambasadorja Kim - ne do të vazhdojmë të mbështesim fort zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Forcimi i institucioneve dhe praktikave demokratike do të forcojë kandidaturën e Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Ne duam ta shohim Shqipërinë të luajë një rol më të fortë në familjen evropiane të demokracive. Së treti, duam të rrisim mundësitë e biznesit si për kompanitë amerikane ashtu edhe ato shqiptare. Ka shumë potenciale të pashfrytëzuara në Shqipëri, për prodhuar, konsumuar dhe për të qenë novatorë”.

Por sipas ambasadores amerikane, realizimi i tyre kërkon që “Shqipëria të çrrënjosë korrupsionin, të ndjekë penalisht krimin e organizuar, dhe të realizojë vendosmërisht sundimin e ligjit. Miratimi i reformës në drejtësi ishte një gur kilometrik madhor, por shumë do të varet nga zbatimi i plotë dhe i duhur. Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë apo vetëm e komunitetit të biznesit. Për partnerët tanë në qeveri: ritheksoj rëndësinë e transparencës dhe të shtetit ligjor”, u shpreh zonja Kim, duke nënvizuar se “pavarësisht nëse është në praktikë apo në perceptim, korrupsioni e dëmton Shqipërinë dhe e pengon të arrijë potencialin e tij të vërtetë.”

Për ambasadoren amerikane “viti 2020 do të jetë një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, i mbushur me sfida por edhe mundësi. Potenciali për përparim dhe rritje është përpara nesh, nëse udhëheqësit e Shqipërisë mund të bëjnë bashkë vullnetin me, dhe mjeshtërinë për të bërë gjënë e duhur.”

Zonja Kim ju drejtua udhëheqësve shqiptarë “pavarësisht nëse jeni në shumicë apo opozitë, në parlament apo jo, që të demonstroni udhëheqësi të vërtetë, duke marrë vendimet e vështira për ta çuar vendin përpara në rrugën e tij evropiane. Kjo do të kërkojë kompromis, por një sakrificë e përkohshme e krenarisë personale patjetër që ia vlen në emër të së ardhmes së vendit”.

Ajo përgëzoi më tej marrrëveshjen e arritur mes palëve për reformën zgjedhore. “Shpresoj të ketë edhe shumë shembuj të tjerë të këtij lloj bashkëpunimi përgjatë gjithë vitit”, deklaroi ambasadorja amerikane.