Gerti Shella drejtues i Qendrës për Çështje të Informimit Publik (INFOCIP) një organizatë jo-qeveritar, që synon të përkrahë transparencën në vendimmarrje, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, bisedoi me Zërin e Amerikës lidhur me efektet që ka sjellë reforma në sistemin gjyqësor në Shqipëri. Zoti Shella thotë se situata është alarmante për sa i takon efekteve që ka shkaktuar procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës së gjyqtarëve, duke krijuar zbrazje që ka mbërritur në nivelin e gjykatave të Apelit e shumë shpejt të gjykatave të Shkallës së Parë. Ndërsa reforma sipas tij ka larguar ata gjyqtarë që nuk kanë justifikuar dot të ardhurat e tyre apo elementë të korruptuar ajo nuk i ka dhënë ende përgjigje rritjes së efiçencës së sistemit gjyqësor. Zoti Shella ofron shifra të një studimi të kryer së fundmi nga organizata e tij që lidhet me gjykatat e apeleve në disa qytete. Kjo situatë sipas tij mund të ketë kosto për të gjithë taksapaguesit shqiptarë, pasi i hap rrugë ankimit të çështjeve për dëmshpërmblim në gjykatën e Strasburgut për shkak të tejkalimit të afateve të shqyrtimit të arsyeshëm të çështjeje gjyqësore.