Tiranë: OSBE vlerësoi nisjen e punës për reformën zgjedhore

OSBE vlerësoi sot platformën e opozitës për reformën zgjedhore me propozime të paraqitura në Këshillin Politik mes pozitës dhe opozitës.

Drejtuesi i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, mirëpriti riintegrimin e opozitës jashtëparlamentare në diskutimin me institucionet.

Ky hap, sipas tij, mund të përmbushë rekomandimin e parë kryesor të OSBE/ODIHR-it, se “partitë politike duhet të angazhohen në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të lehtësojnë reformën zgjedhore”.

“Jam i lumtur që u hodh një hap në këtë drejtim” - tha ambasadori Borchardt, gjatë një konference të OSBE/ODIHR-it për rritjen e pjesëmarrjes së grave, pakicave kombëtare dhe personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

Ai shtoi se në tryezë janë një seri propozimesh dhe rekomandimesh dhe se shqyrtimi i të gjithave deri më 15 mars do të jetë një sfidë e vështirë, por ka edhe dy muaj kohë.

“Uroj që të gjithë aktorët e përfshirë të kenë dëshirën dëshirën për të bërë kompromis, fat dhe dhe shumë energji. Legjislacioni ekzistues mund të prodhojë zgjedhje të përshtatshme dhe rezultate të besueshme. Kjo nuk ka ndodhur, pasi bëhet korrupsion dhe autorët e tij e dinë se sistemi nuk mundet t’i dënojë apo thjesht nuk i dënon sa duhet. Mund të vijoni të përpiqeni të ndryshoni sistemin, por do të ishte më mirë të ndryshonit sjelljen. Ky është parakushti për mbarëvajtjen e gjithçkaje. Sepse nëse shkelësit e ligjit nuk ndryshojnë sjelljen, reformat bëhen të kota” - tha ambasadori Borchardt.

Ai renditi një seri propozimesh që Opozita e Bashkuar dorëzoi më 16 janar në Këshillin Politik, të krijuar nga tryeza e fundit pozitë - opozitë, për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Ato kanë të bëjnë me shitblerjen e votës, presionin mbi zgjedhësit dhe mbi administratën, mediat, abuzimi me fondet shtetërore, financimet e partive politike dhe lidhjet mes krimit dhe politikës.

Pozita dhe opozita u takuan një javë më parë dhe ranë dakord të bashkëpunojnë për reformën zgjedhore dhe ta përfundojnë atë brenda muajit mars.