Në Tiranë u zhvillua sot i pari Samit i Grave të Biznesit, ku morën pjesë shumë sipërmarrëse shqiptare nga shumë shtete. Ato diskutuan mbi lehtësimin e kushteve të biznesit dhe heqjen e disa pengesave, që nuk i lejojnë të zhvillojnë veprimtaritë e tyre. Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, njofton nga Tirana:
Your browser doesn’t support HTML5
Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës dhe Dhoma e Biznesit të Diasporës zhvilluan për herë të prë në Tiranë me mbështetjen e qeverisë “Samitin e Grave të Biznesit”. Në takim u trajtuan një seri vështirësish që mund të kapërcehen me bashkëpunim mes bizneseve të drejtuara gratë dhe me njohje më të afërt mes tyre. Në Tiranë 60 për qind e bizneseve drejtohet dhe menaxhoet nga gratë, megjithatë vështirësitë që ato hasin shumë të mëdha.
“Kreditë më të mëdha jepen për burrat. Qeveria po punon që kredi të butë të ketë vetëm për gruan sipërmarrëse. Agjencia e Investimeve ka fonde për gratë me nisma të reja sipërmarrjeje, por pak e marrin. Ende ka pak edhe përhapje të informacionit, që gratë ta dinë e të shkojnë të marrin” - thotë Albana Laknori, sekretare e përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës.
Edhe në Kosovë vështirësitë e grave të biznesit janë të mëdha, duke nisur nga mendësitë e vjetra e deri tek pengesat më të reja. Vetëm 15 për qind e bizneseve të Kosovës kanë pronare gra dhe vetëm 9 për qind drejtohen nga gra.
“Janë disa pengesa kryesore; qasja në inpute produktive, që nënkupton qasje në pronë e në financa. Mungesa e kolateralit e bën që gruaja të mos ketë mundësi të aplikojë për kredi apo edhe bankat të mos i konsiderojnë si të favorshme për kredidhënie. Pastaj është qasja në nevojat për t’u kujdesur për familjen, për fëmijët e për të moshuarit” - thotë Myesere Hoxha, përfaqësuese e Dhomës Ekonomike të Grave në Kosovë G7.
Gratë shqiptare kanë themeluar biznese në të gjitha vendet ku kanë emigruar. Në Itali rreth 38 mijë biznese kanë pronarë shqiptarë dhe 18 për qind e tyre kanë drejtuese gra, afërsisht sa mesatarja botërore.
“Ne gratë e kemi patur të vështirë. Kemi patur një luftë të dyfishtë si shqiptarë; edhe me vështirësitë në vendin tonë plus luftën ekonomike, sociale, kulturore për t’u integruar në vendin e ri. Në Itali duhej të tregonim se ishim më të afta se sa burrat dhe më të afta se gratë me kushtet e tyre në Shqipëri” - thotë Luljeta Çobanaj, Presidente e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Italo-Shqiptare në Milano.
Në Samitin e parë të Grave të Biznesit morën pjesë shumë zonja nga një seri shtetesh dhe Dhomash tregtie dhe studiuese, që shkëmbyen informacion dhe vendosën kontakte për bashkëpunim mes bizneseve të tyre.
Mbijetesa dhe suksesi i tyre në botën e biznesit besohet se do të shkojë në një nivel të ri pas lehtësive të ndryshme që krijohen, sepse është provuar nga vëzhgimet e ndryshme që bizneset e themeluara dhe drejtuar nga gra knë ecur më mirë.
Në Shqipëri sipas statistikave, një në tre biznese administrohet nga grua, afro 35 për qind e bizneseve kanë gratë në drejtim, qysh nga shërbimet e deri tek prodhimi.