Një avokat i shtetasit turk Harun Çelik, i cili dje është deportuar drejt Turqisë, i tha Zërit të Amerikës se veprimet ndaj klientit të tij janë në shkelje të ligjit dhe se prokuroria duhet t’i hetojë këto veprime të paligjshme.
Sipas avokatit Alban Bengasi, 42-vjeçari Çelik, me profesion mësues, i kishte deklaruar përfaqësuesit të tij ligjor se ishte larguar nga Turqia si mbështetës i lëvizjes Gylen për shkak të kërcënimeve ndaj jetës së tij.
Sipas zotit Bengasi, ai u kap në aeroportin e Rinasit me dokumente falso duke udhëtuar drejt Kanadasë dhe se kreu disa muaj paraburgim në Shqipëri.
Avokati tha se “zoti Çelik u kërkoi zyrtarëve azil politik por kjo iu refuzua nga autoritetet e policisë së burgjeve.”
Zëdhënësi i policisë, Gent Mullaj, tha për “Zërin e Amerikës” se shtetasi turk "ishte i dënuar dhe të mërkurën doli nga burgu... Në bazë të ligjit për të huaj, janë bërë procedurat ligjore për largim nga Shqipëria”.
Pyetjes së “Zërit të Amerikës” nëse Harun Çelik kishte kërkuar mbrojtje nga Shqipëria si veprimtar politik i rrezikuar në vendin e tij, zëdhënësi iu përgjigj se “nuk kishte informacion tjetër”.
Avokati Bengasi tha se është e pazakontë që një person i ndaluar për falsifikim dokumentesh të mbahet kaq gjatë në paraburgim. Ai tha se fati i mëtejshëm i klientit të tij, pas deportimit, është i paqartë.