"Udhëtimi" amerikan i një adoleshenti shqiptar

Your browser doesn’t support HTML5

Emigrimi i të rinjve është një fenomen shqetësues në Shqipëri. Por jo të gjithë largohen me qëllimin për t’u larguar përfundimisht nga vendi në kërkim të një jete më të mire në perëndim. I tillë është rasti i Klodian Gjonpalajt, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku po kryen vitin e fundit të shkollës së mesme. Kolegu Burim Goxhuli bisedoi me adoleshentin shqiptar si dhe vizitoi familjen amerikane që po e mban atë. Klodiani erdhi në Shtetet e Bashkuara falë një programi shkëmbimi vizitorësh të financuar nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe qëllimi i tij është të rikthehet në vendlindje për të kontribuar siç thotë, për të ardhmen e vendit.

Klodian Gjonpalaj është një 17 vjeçar nga Shqipëria.

Viti i fundit i shkollës së mesme, e gjen atë shumë larg vendlindjes dhe familjes së tij.

Ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara falë një burse të Departamentit amerikan të Shtetit si pjesë e programit për studim dhe shkëmbim të të rinjve “Kennedy-Lugar”.

Klodiani nuk paguan as për shkollimin dhe as për strehimin e tij në SHBA. Deri në fund të viti shkollor programi parashikon që ai të qëndrojë tek një familje amerikane.

“Që në ditët e para kur u takuam, i thirra mami dhe babi. Ata e kanë shumë qejf këtë gjë. Kam marrëdhënie shumë të mirë me ta. Çdo problem që kam pasur e kam diskutuar me ta. Kam edhe vëllezër e motra, është si një familje e dytë për mua”, thotë Klodiani për Zërin e Amerikës.

“Ata të bëhen si fëmijët e tu, përjashtuar që ti nuk e di të shkuarën e tyre, nuk di se çfarë kanë bërë kur ishin të vegjël, cila ishte fjala e tyre e parë, apo marrëdhëniet me motrat dhe vëllezërit e tyre. Por ata janë fëmijët e tu për një vit dhe gjatë kësaj periudhe ti sheh raportet e tyre me vëllezërit dhe motrat e rinj, sheh gjërat që atyre u interesojnë dhe rrugën që duan të ndjekin”, thotë Maria Filios, zonja e shtëpisë ku është strehuar Klodiani.

“Kujdesemi që ata të shkojnë në shkollë, të marrim pjesë në takimet me prindër. Takojmë mësuesit dhe nëse ata kanë ndonjë problem shkolla na njofton. Por me Klodianin nuk kemi pasur probleme, është nxënës i shkëlqyer”, thotë Paul Filios, pronar i shtëpisë.

Klodiani është nxënësi i 11-të që strehon kjo familje. Ai thotë se përvoja amerikane ka ndikuar në pjekurinë e tij.

“Jam bërë më i pjekur, çdo gjë tani më duket më serioze. Jam në Amerikë, po shkollohem, jetoj në një familje që nuk njihja fare dhe më duket sikur jam rritur shumë, jo vetëm nga pamja trupore, por edhe pikëpamja psikologjike. Largimi dhe fakti që nuk ke përkrahjen e familjes që të ka rritur ndikon shumë”, thotë adoleshenti.

Qëndrimi në SHBA për Klodianin do të thotë dhe përshtatje me diversitetin kulturor.

“Kam shokë nga Paraguaji, Kili, Gjermania e Kanadaja. Shumë nxënës vijnë me qëllimin që të mbyllin këtë vit dhe secili ka takuar dikë që është për të njëjtin program nga një shtet tjetër. Domethënë kemi krijuar një familje, një familje që e ka vendndodhjen e saj në gjithë botën, jo vetëm në një shtet”, thotë ai.

Por nuk janë vetëm nxënësit ata që përfitojnë nga një program i tillë.

“Kemi menduar që një ditë të udhëtojmë nëpër botë me fëmijët tanë, por tashmë kemi përfunduam disi me pesë fëmijë dhe të udhëtosh me të gjithë ata, do të na kushtonte shumë shtrenjtë. Ndaj të sillnim botën në shtëpi përmes programeve të këmbimit, ishte gjëja e dytë më e mirë që bëmë”, tha për Zërin e Amerikës Maria Filios, pronare e shtëpisë.

“Do të inkurajoja njerëzit që të udhëtojnë e të takojnë njerëz nga këtë vende. Jetoni atje nëse mundeni, sepse në të kundërtën është e vështirë ta kuptosh botën, nëse e sheh atë vetëm nga një këndvështrim. Takoni njerëz nga vende tjera dhe ftojini ata në shtëpi, vizitoni botën”, thotë zoti Filios.

Të zotët e shtëpisë thonë se nuk ka nevojë të jesh i pasur që t’i hapësh dyert për të tjerët. Mjafton të ndash atë që ke.

Pas një viti bashkë, ndarja bëhet e vështirë.

Tani kemi lidhje në mbarë botën. Kur të dalim në pension mbase do të vizitojmë disa prej tyre. Kjo do të ishte e mrekullueshme!”, thotë zoti Filios.

Por malli për njëri-tjetrin nuk është problemi i vetëm.

“Kthimi në shtëpi mund të jetë i vështirë për ta, sepse kanë qenë këtu për një vit dhe kanë pasur jetë krejtësisht ndryshe në një mjedis tjetër. Janë rritur aq shumë ndërsa në vëndlindje, në shumicën e rasteve, mjedisi atje nuk ndryshon. Pikëpamjet e tyre janë zgjeruar aq shumë saqë kur shkojnë në shtëpi, shokët u duken të vegjël. Është e vështirë. Prandaj përqëndrohemi që t’i përgatisim për atë moment”, thotë zonja Filios.

“Çdo student këtu, sapo shkon në shkollë të mesme, mendon se çfarë do të bëj në të ardhmen, mednon të gjejë një punë. Ndërsa unë nuk i kam pasur këto mendime kur u futa në shkollë. Tani kam ndryshuar dhe po mendoj për karrierën. Ndërsa për Shqipërinë, të them të drejtën më vjen keq sepse në gjimnazet atje nuk ka edukim serioz për karrierën, për të ardhmen. Thjesht përfundojnë gjimnazin dhe pastaj përballen me detin ose oqeanin përballë tyre”, tha Klodiani.

Jeta në Amerikë u nxit këtyre nxënësve vullnetin që të kontribuojnë për vendin e tyre.

Besoj se do të kem një të ardhme të mirë edhe në qoftëse kthehem në Shqipëri. Nëse bëj një universitet dhe vazhdoj me këtë ritëm që kam me mësimet, besoj që mund të arrij diçka të mirë edhe atje. Kuptohet që dëshira është që të vazhdoj shkollën në një vend më të zhvilluar, por gjithmonë kam dashur që frutet e përpjekjeve të mua t’i jap në Shqipëri”, përfundon rrëfimin rreth përvojës amerikane, nxënësi Klodian Gjonpalaj.

Programi nga i cili përfitoi Klodiani siguron bursa të plota për nxënës të shkollave të mesme nga vende me shumicë myslimane. Prej vitit 2003 e deri tani janë rreth 12 mijë nxënës nga mbarë bota që kanë përfituar nga ky program.