Helikopterë për transportin e organeve për transplantim

Operacioni i parë i suksesshëm i transplantimit të organeve u realizua në vitin 1954 në Boston të shtetit Masaçusets duke hapur kështu rrugën për miliona ndërhyrje të tilla kirurgjike. Megjithatë, pavarësisht përparimeve në këtë fushë të mjekësisë, transportimi i shpejtë i organit tek pacienti mbetet një sfidë, sepse ka raste kur mjekët nuk mund të presin më shumë se disa orë për përdorimin e organeve të dhuruara. Një kompani nga Nju Jorku, e quajtur Blade mund të ketë një zgjidhje për këtë problem. Kompania ka filluar një eksperimet, duke vënë në përdorim helikopterët e saj luksozë për transportimin e organeve të dhuruara për transplantim.

Kompania Blade dikur ishte një shërbim transporti me helikopterë luksozë.

Por kohët e fundit kompania ka hyrë në biznesin e shpëtimit të jetëve.

Helikopterët e kompanisë Blade po transportojnë organe të dhuruara për transplantim në kuadër të programit “MediMobility”.

"Kishim pajisjet, infrastrukturën me tre heliporte në qytetin e Nju Jorkut dhe shërbim 24 orësh për operacionet tona. Kështu që kishim të gjithë elementët e nevojshëm për të bërë këtë punë", thotë Will Heyburn nga Korporata Blade Development.

Transportimi i organeve për tranplantim është një garë me kohën.

Në të kaluarën, kur një organ bëhej i disponueshëm, mjekët…. duhej të shkonin në aeroportin më të afërt, të fluturonin drejt qyteteve fqinje për të marrë organin, pastaj të ktheheshin tek pacienti. Dhe e gjithë kjo duhej të bëhej brenda katër orësh,

"Që nga momenti kur ndërpritet furnizimi me gjak i zemrës për ta transportuar tek një pacient, ajo periudhë kohore njihet si koha ishemike. Pra, koha kur zemra nuk furnizohet me gjak ose oksigjen dhe qelizat e saj fillojnë të vdesin në një shkallë të vogël.”

Qendra Shëndetësore Langone e Universitetit të Nju Jorkut, ku punon Dr. Julius Carillo, ishte e para që testoi programin “MediMobil”. Shkurtimi i kohës së udhëtimit në vetëm dy orë ishte një sukses i madh.

"Kur zbresim nga helikopteri, shkarkojmë frigorifering portativ, dhe fatmirësisht spitali ndodhet në anën tjetër të rrugës."

Në disa raste në të kaluarën mjekët e “MediMobil” nuk pranonin organet për transplantim sepse e dinin që nuk mund të arrinin në kohë.

Nathan Alexander drejton operacionet në kompaninë Blade.Që kur kompania filloi programin, ai është marrë gjatë gjithë kohës me koordinimin e fluturimeve për të shpëtuar jetë. Brenda zyrës së kompanisë Blade, të gjitha fluturimet që tranportojnë organe të dhuruara janë të shënuara me ngjyrë të kuqe dhe kanë përparësi ndaj fluturimeve të tjera.

" Kur shikon mjekët duke zbritur nga helikopterët ke një ndjesi tjetër, e kupton rëndësinë e punës që po bëhet dhe ndikimi që ka. Kur dikush në spitalin e Universitetit të Nju Jorkut pret të marrë atë organ që do ta ndihmojë atë të vazhdojë të jetojë, mendoj se kjo është diçka e jashtëzakonshme."

Nëse ky eksperimentim vazhdon të funksionojë në mënyrë efikase, kompania Blade me kalimin e kohës shpreson të zgjerojë aktivitetin edhe me shumë klinika të tjera.