Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, Donald Trump fitoi në shtetin e Uiskonsinit me një epërsi prej më pak se 30,000 votash, duke u bërë republikani i parë që fiton në këtë shtet që nga koha e presidentit Ronald Reagan në vitin 1984. Ndërsa 2020 afrohet, Uiskonsini shihet si një prej shteteve të rëdësishme ku presidenti Trump duhet të fitojë për t’u rizgjedhur. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh dy çështje mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve në shtet, procesi për shkarkimin e presidentit dhe vazhdimi i rritjes ekonomike të dekadës së fundit.
Gjatë vitit zgjedhor, votuesit zakonisht kanë një çështje më të rëndësishme se gjithçka tjetër.
"Ekonomia, padyshim", thotë votuesja Bernadette Rainsford.
Për votuesit nga Uiskonsini, si Bernadette Rainsford, ekonomia është duke ecur mirë, thotë ekonomisti Steven Deller.
"Ne në fakt vështirësia më e madhe sot është që nuk kemi njerëz të mjaftueshëm për të plotësuar vendet e hapura të punës", thotë Steven Deller nga Universiteti i Uiskonsinit në Madison.
Ky mund të jetë një lajm i mirë për përpjekjet e Presidentit Trump për t’u rizgjedhur.
"Ka hulumtime që sugjerojnë se shanset e një presidenti në detyrë për t’u rizgjedhur varen nga ecuria e ekonomisë. Nëse ekonomia është në gjendje të mirë, atëherë Presidenti Trump ka një shans shumë të mirë për t’u rizgjedhur. Nëse ekonomia dobësohet, atëherë çdo gjë është e mundur."
Gjendja e mirë e ekonomisë ndihmon edhe kandidatët lokalë.
"Ekonomia duket se po vazhdon të shënojë rritje dhe në Uiskonsin industria e lehtë ka bërë një rikthim të fortë, duke u bërë një nga tre sektorët më të mëdhenj të ekonomisë së shtetit."
Republikani Scott Fitzgerald, i cili është President i Senatit të Shtetit të Uiskonsinit, po kandidon për postin e anëtarit të Kongresit amerikan, në një zonë elektorale në periferi të Miluakit. Ndërsa ekonomia mund ta ndihmojë atë në zgjedhjet speciale tani, kushtet mund të jenë të ndryshme në vitin 2020.
"Të gjithë treguesit tani po sugjerojnë se ekonomia amerikane dhe ajo në Uiskonsin janë duke u ngadalësuar", thotë Steven Deller nga Universiteti i Uiskonsinit në Madison.
Megjithë papunësinë e ulët në shkallë vendi, Departamenti Amerikan i Punës raporton se Uiskonsini këtë vit ka nivele më të larta papunësie në pothuajse secilin nga 72 distriktet e tij në krahasim me vitin e kaluar.
Ky shtet gjithashtu ka numrin më të madh të falimentimeve të fermave familjare, një problem që është përkeqësuar nga betejat tregtare të administratës së Presidentit Trump.
Edhe ndërtimi i një fabrike të premtuar nga kompania tajvaneze e tenkologjisë, Foxconn me vlerë 10 miliardë dollarë në Uiskonsin, që u promovua nga Presidenti Trump si transformuese, ende nuk i ka përmbushur pritshmëritë për krijimin e mijëra vendeve të reja të punës.
"Duket se të gjithë treguesit janë në përputhje me parashikimin se po hyjmë në një periudhë të një rritjeje më të ngadaltë ekonomike, dhe ndoshta në një recesion të butë", thotë Steven Deller nga Universiteti i Uiskonsinit.
Për këtë arsye, Fitzgerald shpreson që procesi i hetimit për shkarkimin e Presidenti Trump në Kongres do të zemërojë dhe do të mobilizojë votuesit republikanë në vitin 2020.
"Unë mendoj se hetimi do të rrisë pjesëmarrjen në disktriktet si ky dhe padyshim në distriktet në mbarë vendin, pasi mbështetësit e Presidentit Trump do të jenë më të motivuar”, thotë ai.
"Kjo është një çështje motivuese në mesin e mbështetësve të tij (Presidentit Trump), por edhe në mesin e demokratëve që janë kundër tij, kështu që unë nuk e shoh se si hetimi për shkarkimin e tij mund të ketë shumë efekt", thotë Charles Franklin, drejtor për Sondazhet në Universitetin Marquette.
Votuesja Bernadette Rainsford thotë se ajo mbështet një demokrat për president, ish nënpresidentin Joe Biden. Ajo dyshon se rezultati i procesit të hetimit për shkakrimin e Presidentit mund t’ua ndryshojë mendjen republikanëve në komunitetin e saj.
"Nuk besoj se do t’ua ndryshojë mendjen ... të shohim se si do të rrjedhin gjërat", thotë ajo.
Zgjedhjet paraprake në Uiskonsin do të mbahen më 7 prill. Demokratët dhe republikanët në të gjithë shtetin do të votojnë për kandidatin e partisë së tyre që do t’i përfaqësojë ata në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
C