Tiranë: Mbahet Takimi i tretë Rajonal i Ballkanit Perëndimor

Përfaqësues të lartë shtetërorë të 4 vendeve ballkanike, Shqipëria, Mali I Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia u takuan në Tiranë morën sot pjesë në Takimin e tretë Rajonal të Ballkanit Perëndimor për të zgjeruar bashkëpunimin mes tyre ekonomik.

Your browser doesn’t support HTML5

Takimi i Tretë Rajonal i Ballkanit Perendimor

Kryeministri Edi Rama i Shqipërisë, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidentit malazes Milo Gjukanoviç dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pohuan se kanë diskutuar hapur për të punuar së bashku në zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme dhe çdo dakordësim të ri me dobi ekonomike.

Zoti Rama deklaroi pas takimit se vendet pjesëmarrëse të kësaj nisme po “përpiqen të bashkojnë energjitë për të shpejtuar proceset e integrimit dhe standartet e BE-së përmes lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve”.

Ai falenderoi pjesëmarrësit për ndihmën që vendet e tyre i dhanë Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit, dhe më pas theksoi se kjo nismë është gjithëpërfshirëse, e hapur, pa kushte dhe nuk i imponohet askujt, duke patur parasysh refuzimin e Kosovës për të marrë pjesë në këtë takim.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili erdhi për të parë në këto takime, tha se shtetasit e vendeve të këtij rajoni duhet të kenë kushte të njëjta jetese me ata të Europës së zhvilluar, ndaj këto nisma bashkëpunimi marrin rëndësi, sepse na çojnë drejt integrimeve dhe standarteve të Bashkimit Europian.

“Ne diskutuam sot si ta bëjmë sa më të frytshme një nismë e tillë për të gjithë Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që ai të bëhet pjesë e Bashkimit Europian sa më parë që të jetë e mundur, presidenti malazez, Gjukanoviç.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se të gjithë bisedimet i shërbejnë shtimit të përpjekjeve për të ndihmuar njëri tjetrin si në raste fatkeqësish natyrore, ashtu në zhvillimin e tregtisë, lëvizjes së mallrave, kapitaleve.

“Këto takime janë me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse japin mesazhin se vendet tona vazhdojnë të ndërtojnë bashkëpunim, me funksionimin pa kufizim të pikave kufitare, doganat do të lehtësojnë procedurat, do të ketë më shumë korsi lëvizje në to të kamionëve pa vonesë. Do të përpiqemi të krijojmë një treg të përbashkët pune, që nënkupton një tërheqje më të madhe vëmendje për investuesit e huaj. Po ashtu kur serbët dhe maqedonasit do të duan të punojnë në Shqipëri dhe anasjelltas, shtetet do të kenë të njëjtat sisteme shërbimi, të aplikojnë dhe të marrin leje të përhershme pune. Kjo është një lëvizje domethënëse në tregun e punës. Po ashtu tregtia do të rritet në përfitim të gjithëkujt. Shumë rregullore do të përafrohen në mënyrë që shtetasit e vendeve të rajonit me pak banorë të përfitojnë bashkarisht më shumë nga lehtësirat’ - tha zoti Vuçiç.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, tha se ky takim i Tiranës është një përmbledhje e takimeve të Novi Sadit dhe Ohrit.

“Bashkëpunimi i ngushtë mes nesh po jep rezultate dhe përfitime në kufij nga transportuesit. Administratat tatimore të Shkupit dhe Tiranës do të nënshkrujanë një marrëveshje për shërbime One Stop Shop për transportet. Po ashtu do të nënshkruajmë një marrëveshje për kalimin e kufijve vetëm me karta identitetit dhe leje të njëjta pune mes vendeve të rajonit” - tha zoti Zaev.

Takimi i autoriteteve ballkanike në një hotel në qendër të Tiranës u prit me një tubim proteste të dhjetëra qytetarëve, dhe veprimtarëve të shoqërisë civile, që kundërshtojnë marrëveshjet mes Tiranës dhe Beogradit pa praninë e përfaqësuesve të Kosovës.

Takimi i Tiranës është i treti pas atij të Novi Sadit dhe Ohrit, ndërsa qeveritarët e vendeve të Balkanit perëndimor po kërkojnë hapësira bashkëpunimi.