Kontrolli i armëve, Ukraina dhe Siria kryesojnë sot axhendën e takimeve të Presidentit Donald Trump dhe Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo me ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov, i cili po bën vizitën e tij të parë në Uashington që nga maji 2017.
Vizita e zotit Lavrov, megjithatë, ka mbetur në hije për shkak të shpalljes nga Dhoma e Përfaqësuesve të akuzave që synojnë shkarkimin e presidentit.
Zoti Lavrov fillimisht u takua me zotin Pompeo në Departamentin e Shtetit, ku ata do të kenë një drekë pune dhe do të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi. Pastaj ata do të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë, për t’u takuar me Presidentin Trump.
Zoti Lavrov mbërriti në Uashington pas një takimi në Paris dje midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, së bashku me krerët francezë dhe gjermanë, ku ata ranë dakord të rigjallërojnë procesin e paqes në konfliktin e përgjakshëm të Ukrainës lindore.
Vizita e zotit Lavrov në Uashington vjen ndërkohë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tendosura lidhur me akuzat për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.
Një raport nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, i cili hetoi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, doli në përfundimin se Rusia ndërhyri në përpjekje për të ndryshuar votimet në favor të zotit Trump. Moska ka mohuar se ka patur gisht.