Kryeministri Edi Rama tha sot se e shfrytëzoi takimin e udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s në Londër për të kërkuar mbështetje ndaj Shqipërisë e cila u godit më 26 nëntor nga një tërmet i fortë që shkaktoi 51 vitikima dhe dëme të mëdha. Zoti Rama u shpreh se për të ky kishte qenë “objektivi kryesor i gjithë këtij Samiti dhe u ndjeva i inkurajuar nga fakti që të gjithë ishin jo vetëm në dijeni, por dhe të interesuar të dinin më shumë. Faktikisht kemi diskutuar me partnerët europianë, kam bërë bisedë të gjatë me Presidentin e Francës, me Kancelaren, me Kryeministrin e Holandës dhe me një sërë liderësh të tjerë. Kryeministrja e Danimarkës ka qenë jashtëzakonisht e përfshirë dhe e interesuar. Padiskutuar Kryeministrin Conte e kështu edhe Kryeministri i Kanadasë. Edhe me Presidentin Trump kemi folur, me Presidentin Erdogan kemi folur dhe të shikojmë tani më tutje”.
Your browser doesn’t support HTML5
Kryeministri Rama u shpreh se “reagimet e para janë pozitive. Përtej dallimeve dhe kundërshtive të natyrave të ndryshme në aspektin e procesit të negociatave, Europa është e gjitha e bashkuar në mbështetje të shqiptarëve, të gjitha vendet pa asnjë diskutim, të gjithë liderët”.
Kryeministri shqiptar tha se i kishte vënë në dispozicion homologëve të tij “edhe dokumente, edhe shumë informacione që të mund të kenë një pamje shumë të qartë, sepse natyrisht që në nivelin e Ministrive të Jashtme, në nivelin e burokracisë shtetërore, apo dhe në Bruksel, informacioni ka arritur dhe ndjekja bëhet në kohë reale, sepse kemi parë shumë ndihmë në momentet e para, vazhdojmë të shohim ndihmë me ekipet e ekspertëve, po ashtu ndihmë për logjistikën e strehimit të përkohshëm që vazhdon. Por ajo që ka qenë objektiv, që them se e kam arritur, është që të përfshij drejtpërdrejt liderët e të përfshij emocionalisht ata që në fund të fundit janë shumë të rëndësishëm në këtë proces, sepse një fjalë e tyrja është shumë më shumë sesa një dosje e tërë e përgatitur në nivelet më të ulëta”, u shpreh kryeministri.