Një tërmet i fuqishëm tronditi ishullin grek të Kretës

Një tërmet i fuqishëm nënujor tronditi ishullin jugor të Greqisë, Kretën të mërkurën dhe u ndje në territorin jugor të vendit, por nuk ka njoftime për dëme ose të lënduar.

Instituti Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara në vlerësimin e tij fillestar tha se tërmeti ishte me magnitudë 6.0, ndërsa Instituti Gjeodinamik i Greqisë tha se tërmeti ishte me mganitudë 6.1. Është e zakonshme për dallime të lehta të këtij lloji mes instituteve të ndryshme që masin fuqinë e tërmeteve. Epiqendra e tërmetit që goditi vendin të mërkuren në mëngjes, ishte në një thellësi prej 71 kilometrash dhe u ndje gjerësisht në pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin vendit, Athinë.

Your browser doesn’t support HTML5

Tërmet në Greqi

Lëkundjet detyruan njerëzit të dilnin në rrugë në Kretën perëndimore, njoftojnë mediat lokale, por nuk ka njoftime dëme ose të lënduar. Një ditë më parë, një tërmet i fuqishëm në Shqipërinë fqinje vrau të paktën 27 njerëz dhe shkaktoi dëme të mëdha në qytetin bregdetar të Durrësit dhe zonat e afërta.

“Tërmetet në këtë thellësi zakonisht nuk pasohen me goditje të tjera”, tha sizmologu Efthimis Lekkas, kreu i Organizatës së Planifikimit dhe Mbrojtjes nga Tërmetet në Greqi. “Pra, nuk ka ndonjë arsye serioze për shqetësim”, shtoi ai.

Autoritetet në ishullin e Kythiras, i cili ishte afër epiqendrës, urdhëruan mbylljen e shkollave për një ditë si një masë paraprake për sigurinë.