Michael Bloomberg njoftoi sot se po kandidon për President të Shteteve të Bashkuara.
Ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, një nga njerëzit më të pasur në botë, u bashkua zyrtarisht në fushatën presidenciale demokrate të dielën. Ish republikani 77-vjeçar i njoftoi planet e tij në një faqe elektronike të fushatës.
Ai shkroi: '' Po kandidoj për president për të mposhtur Donald Trump dhe për të rindërtuar Amerikën. ''
Hyrja e Bloomberg-ut në garë, vetëm 10 javë para fillimit të zgjedhjeve paraprake, reflekton shqetësimin e tij se lista aktuale e kandidatëve nuk është e pozicionuar mirë për të mposhtur presidentin Trump.
Investimet masive të Bloombergut në çështjet me përparësi për demokratët si ndryshimet klimatike dhe kontrolli i armëve të mbështetura nga pasuria e tij personale, mund ta bëjnë atë një kandidat të fuqishëm. Ai tashmë ka rezervuar më shumë se 30 milion dollarë në reklama televizive nëpër disa shtete, megjithëse nuk do të marr pjesë në katër zgjedhjet e para paraprake.