Hoxhaj: Moshapja e bisedimeve me BE-në, pasojë e rënies së dëshirës për zgjerim

  • Ilir Ikonomi

Your browser doesn’t support HTML5

Intervistë me ekspertin Andi Hoxhaj

Dr. Andi Hoxhaj, pedagog i së Drejtës Europiane në Universitetin Warwick të Britanisë, i tha Zërit të Amerikës se moshapja e bisedimeve me Shqipërinë nga Bashkimi Evropian është në një masë të madhe pasojë e rënies së dëshirës në publikun francez dhe gjerman për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së.

Zoti Hoxhaj do të publikojë së shpejti librin në anglisht “Politikat e Bashkimit Evropian per luftën kunder korrupsionit”, në të cilin ai i kushton një kapitull korrupsionit në Shqipëri dhe politikave të BE-së për këtë çështje.

Në intervistën që i dha nga studioja e VOA në Nju Jork kolegut Ilir Ikonomi, ai foli edhe për reformën në drejtësi si një mekanizëm me rëndësi për luftën e korrupsionit në Shqipëri dhe parashtroi pikëpamjet e tij si studiues se si mund të realizohet me sukses kjo përpjekje.

Zëri i Amerikës: Bashkimi Evropian muajin e kaluar bëri një kthesë në vlerësimin për Shqipërinë, duke shtuar kushtet dhe duke ia refuzuar hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, kjo sidomos me qëndrimin e Francës. Përse vendet kryesore te BE-së sidomos Franca, e ngritën papritur stekën, ndërsa SHBA mbetet nje avokate e vendosur për hapjen e menjëhershme të negociatave?

Andi Hoxhaj: Bashkimi Evropian, sidomos vendet anëtare të BE-së, për një kohë shumë të gjatë janë kundër zgjerimit. Sondazhet në 2013 tregonin që mbi 70 për qind në Francë dhe 69 për qind në Gjermani e Austri, ishin kundër zgjerimit të Bashkimit Evropian. I njejti sondazh tregon gjithashtu se sot në Francë 58 për qind e banorëve nuk e duan zgjerimin. Por, unë mendoj se Franca u tregua më e drejtpërdrejt në shpjegimin që vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk janë pro-zgjerimit dhe kjo deri diku po tregon që mënyra se si Bashkimi Evropian po i trajtonte vendet anëtare pothuajse është duke shkuar deri diku drejt dështimit. Tani Franca ka thënë se do të shikojë disa mënyra të reja mbi atë se si vende të reja mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Janë hedhur disa teza mbi atë se si duhet ecur përpara dhe ato mund të pritet të prezantohen në maj, në Zagreb, në takimin e radhës të vendeve të Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Reforma në drejtësi mbetet për shumë njerëz shpresa për të luftuar korrupsionin dhe krimin në Shqipëri. Sipas mendimit tuaj, në ç’masë mund të funksionojë kjo reformë?

Andi Hoxhaj: Bashkimi Evropian, në përgjithësi, nuk ka një mekanizëm specifik për ta luftuar korrupsionin. Libri im gjithashtu tregon rrugëtimin që Bashkimi Evropian ka bërë për të zhvilluar një politikë për të luftuar korrupsionin. Të vijmë tek Shqipëria. Shqipëria në letra ka adoptuar shumë ligje, madje me kualitet shumë të lartë. Edhe reforma në drejtësi këtë po dëshmon. Unë pres që të ngrihen institucionet e pavarura para se të jap një konstatim mbi atë se çfarë do të bëhet në luftën kundër korrupsiont. Është shumë e drejtë deri tani, që ata që i kanë ikur sistemit të drejtësisë nuk i plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e këtyre institucioneve dhe është më se e drejtë që ata duhet të penalizohen, siç e ka kërkuara edhe Gjermania në nëntë kushtet e saj, ku një nga kushtet ishte që pasi të ngrihet SPAK-u ata të penalizohen.

Zëri i Amerikës: Çfarë duhet të ndryshojë në qëndrimin e BE-së në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri?

Andi Hoxhaj: BE-ja nuk është shumë e drejtpërdrejtë sa i përket luftës kundër korrupsionit ose më saktë nuk është aq e drejtpërdrejtë mbi atë se çfarë do të ndodhë me anëtarësimin e Shqipërisë. Po të bëjmë një krahasim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të drejtpërdrejta për këtë, pra ata duan të përforcojnë institucionet. Kur e shikojnë që ka një vakuum, ku instuticionet nuk funksionojnë, ata dalin dhe thonë që disa zyrtarë nuk janë të mirëpritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, unë mendoj që ne duhet të rrisim ekonominë dhe mirëqenien e shqiptarëve dhe kjo do të kuntribuojë edhe në uljen e korrupsionit në Shqipëri. Unë do të thoja, duke qënë se perspektiva evropiane është e zymtë tani, Shqipëria duhet të shikojë edhe mundësinë që të bëhet anëtare e fushës ekonomike. Ky është një mekanizëm, anëtarë të të cilit kanë qenë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Finlanda dhe Suedia ishin pjesë të këtij mekanizmi dhe pastaj, pas rritjes së standardeve të mirëqeverisjes, u bënë pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo si tezë, gjithashtu është duke u diskutuar nëpër korridoret e Bashkimit Evropian, sidomos në Francë, dhe mund të prezantohet. Por, në qoftë se do të prezantohet si alternativë, unë besoj se Shqipëria duhet ta konsiderojë seriozisht sepse kjo do të kishte një impakt shumë pozitiv në zhvillimin e vendit dhe do të ndihmonte në uljen e korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj, ju kuptova se me ngritjen e agjencive si SPAK apo Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilat janë një shpresë si të thuash në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, ato duhet të monitorohen. Sipas mendimit tuaj, kush do të duhet t’i monitoronte këto agjenci?

Andi Hoxhaj: Pjesë e vizitës time këtu në Nju Jork është edhe një ligjeratë që do të japim te Universiteti i Kolumbias dhe ne po hulumtojmë që pjesë e kësaj të jetë edhe shoqëria civile, jo vetëm organizatat jo qevritare, por edhe gazetarët investigativë, akademikët, institucionet e pavarura dhe ato mund të ofrojnë një kontroll dhe balancë. Në fund të fundit, reforma në drejtësi këtë do të përpiqet të bëjë, pra ta bëjë drejtësinë të pavarur, të shikojë punën e qeverisë dhe institucioneve tjera publike. Mendoj se ka një hapësirë shumë të madhe, ku shoqëria civile mund të bëhet pjesë e këtij monitorimi dhe të ketë një impakt pozitiv. Mund ta shikojmë në vendin ku unë jetoj, në Britaninë e Madhe, ku Boris Johnson nuk e bëri kundrejt ligjit atë që donte të bënte për zgjedhjet. Shoqëria civile e çoi në gjykatë dhe gjykata vendosi se ai nuk ishte konform ligjit. Ky është një shembull klasik (i kontrollit dhe balancës nga shoqëria civile).

Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj, një pjesë e vëzhguesve shprehin pesimizëm, duke thënë se krimi i organizuar është tashmë i lidhur ngushtë me klasën politike. Si e shihni ju këtë dhe a ka një politizim të tepruar të çështjes së korrupsionit në Shqipëri?

Andi Hoxhaj: Korrupsioni deri diku është politizuar. Që krimi i organizuar ka një impakt goxha negativ, kjo është e qartë sepse duket nga të gjitha sondazhet që janë bërë. Por, unë mendoj që vendet e Bashkimit Evropian e kanë politizuar më tepër se ç’është sepse po të shikojmë shifrat, ato nuk janë aq të larta. Mendoj që Shqipëria e vetme nuk mund ta luftojë dot korrupsionin, kështu që do t’i duhet patjetër ndihma për këtë. Ne kemi parë që Bashkimi Evropian ka filluar me programin Frontex, që të kontrollojë bregdetin dhe kjo mund të ketë një impakt pozitiv edhe për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe ka patur disa rezultate pozitive nga policia shqiptare.