Palmer: Marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet sa më shpejt

  • Leonat Shehu

PALMER

I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha sot se zgjidhja e çështjes ndërmjet Kosovës e Serbisë përmes normalizimit të plotë mbetet përparësi strategjike e Shteteve të Bashkuara dhe se për këtë sipas tij po ndjehet nevoja që kjo të arrihet sa më shpejt.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku u takua me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi pas mesditës, me dyer të mbyllura, ndërsa në ambasadën amerikane u takua me përfaqësuesit e partive politike, në një kohë kur në Kosovë po numërohen votat e fundit të hedhura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Your browser doesn’t support HTML5

Matthew Palmer në Kosovë

Zoti Palmer tha se emërimi i tij dhe ambasadorit Grenell si përfaqësues i posaçëm presidencial për bisedimet Kosovë-Serbi, e tejkalon çdo lloj dyshimi për përfshirjen e Shtetet e Bashkuara në këtë proces.

Zoti Palmer bëri thirrje për një marrëveshje normalizimi sa më shpejt që është e mundur ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Sa më shpejt që është e mundur, po e ndjejmë nevojën e urgjencës, se çdo ditë që kalon pa ndonjë zgjidhje është ditë e humbur, zhbllokimi i potencialit të plotë të dy vendeve, kërkon normalizim, kërkon pajtim, pra po, ne ndjejmë nevojën e urgjencës, nuk do të flas për ndonjë afat kohor përveç që asaj që ne kishim dashur që gjërat të lëvizin përpara shpejt, me nxitim duke pasur parasysh që diçka e rëndësishme duhet të arrihet”, tha zoti Palmer duke nënvizuar punën që aktualisht po e bën si përfaqësues i posaçëm.

“Aktualisht jam duke u fokusuar që palët të kthehen në tavolinë, t’i kthehen negociatave, të kthehen te puna serioze dhe vështirë që kërkojnë këto çështje, duke identifikuar kompromiset dhe duke lëvizur këtë proces përpara”, tha ai.

Zoti Palmer tha se Kosova duhet të dijë që bashkëpunimi dhe kompromiset me fqinjët janë vlera për përparim.

“Zgjidhja njëherë e përgjithmonë e marrëdhënies ndërmjet Kosovës e Serbisë përmes normalizimit të plotë mbetet përparësi strategjike e Shteteve të Bashkuara, gjë që do të ketë ndikim të madh tek njerëzit dhe rajonin më gjerë”, tha zoti Palmer duke vënë në pah se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën edhe pas arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë.

“A jemi të përkushtuar për këtë proces, po. Angazhimi ynë dhe mbështetja nuk përfundon në ditën e marrëveshjes, pra ne dëshirojmë që Prishtina dhe Beogradi të arrijnë të marrëveshja që do të përmbledhë normalizmin e plotë të marrëdhënieve. Një ditë pas, ne do të jemi ende këtu dhe ne jemi këtu si partner të Kosovës, miq, aleat dhe mbështetës pra në këtë aspekt ne do të jemi këtu për të siguruar që çka është arritur, të zbatohet”, tha ai.

Zoti Palmer tha se zgjedhjet e 6 tetorit treguan qartë që qytetarët votuan për ndryshim. Ai tha se Kosova ka nevojë për një koalicion qeverisës që përfaqëson njerëzit e saj njëzëri dhe se qeveria e re e pajisur me mandat të ri në rastin e parë që mundet duhet t’i jep frymë të re dialogut.

“Pritjet e mija për zotin Kurti po sa të emërohet kryeministër presim që të jetë partner i mirë për Shtetet e Bashkuara, që do të punoj mirë dhe afër me ne në ndjekjen e qëllimeve të përbashkëta. Se ai do ta kuptoj që dialogu me Serbinë nuk është i rëndësishëm vetëm për Kosovën por i rëndësishëm edhe për Shtetet e Bashkuara, duke integruar këtë në planet e tij dhe se do ta gjej rrugën për t’u kthyer në tavolinën e bisedimeve, përfshirë edhe adresimin e çështjes së tarifës e cila është bërë pengesë për përparim”, tha ai.

Zoti Palmer tha se Shtetet e Bashkuara respektojnë integritetin dhe pavarësinë e Kosovës por nuk shohim perspektivë e integrimit të plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar pa arritjen e një marrëveshjeje pajtimi me Serbinë.

Ai tha se nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare derisa Kosova e Serbia të pajtohen me të dhe parlamentet e dyja vendeve të ratifikojnë atë marrëveshje.

Bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa diplomatët shpresojnë që ripërtëritja e bisedimeve të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.