Dukagjini me tre njësi administrative, është nje nga zonat malore më të varfëra në Veri të Shqipërisë, ku thuajse mungon plotësisht vemendja e strukturave shtetërore për problemet e banorëve.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, ishte në njërën prej tre njësive administrative të Dukagjinit, në atë të Pultit, ku përgatiti reportazhin që po trasmetojmë:
Rruga drejt fshatrave të Dukagjnit është dëshmia më e mirë e harresës ku janë lënë banorët e tre njësive administrative, Pultit, Shalës dhe Shoshit. Prej më shumë se 20 vitesh është apeluar nga banorët dhe zyrtarët vendorë, por gjendja e rrugës vetëm sa është përkeqësuar.
Kryetari i Njësisë Administrative Pult, Tomë Marku, thotë se gjate 20 viteve të fundit në këtë rrugë kanë humbur jetën disa banorë të zonës.
Infrastruktura len shumë për të dëshiru, sidomos infrastruktura rrugore. Vetëm prej Prekalit deri këtu ku ndodhemi, në këtë rrugë kanë vdekë mbi 52 vetë. Në këtë rrugë nuk është vu dorë tash 30 vjet ose qysh në 1972, kur asht ba kjo rrugë.
Kryetari Marku thotë se vështirësive të infrastrukturës këtë vit i është shtuar edhe sëmundja e grerëzës së gështenjës, kësaj peme që është edhe burimi kryesor i jetesës së banorëve të Pultit.
Njësia e Pultit përbahet nga 7 fshatra me rreth 3200 banorë, pavarësisht se lëvizin gjatë dimrit. Në pranverë asht shfaq sëmundja e grenzës së zezë në një sipërfaqe prej 2 mijë hektarësh dhe rrezikon të zhduket i gjithë ky masiv pyjor ku të ardhurat kryesore banorët i kanë nga fruti i gështenjës.
Në të gjithë Bashkinë e Shkodrës gjenden rreth 3500 hektarë me gështenja, që përbëjnë edhe sipërfaqen më të madhe në Shqipëri. Vetëm në Njësinë Administrative Pult ka 2000 hektarë gështenja. Banorët shprehen se, për shkak të sëmundjes, këtë vit ka rënë prodhimi duke dëmtuar ekonomitë e familjeve të tyre.
Përsonalisht kam përmbi 500 rranjë gështenja, gështenja të mëdha, të vjetra, qindvjeçare, të trasha nga një metër. Dhe në këtë sipërfaqe sivjet as 80 përqind nuk merren, kjo për shkak të sëmundjes që ka fillu.
Që me shfaqen e sëmundjes, banorët kanë kërkuar mbështetjen e strukturave të specializuara të shtetit. Megjithëse kane kaluar disa muaj, ata vazhdojnë të apelojnë për ndihmë.
Specialisti i pyjeve dhe mjedisit pranë Bashkisë së Shkodrës, Jozef Ndoci, thotë se bashkia ja ka përcjellë shqetësimin e banorëve institucioneve përgjegjëse.
Që në muajin maj ka arritë shqetësimi nga administratori dhe teknikët e zonës që janë në terren. Bashkia e Shkodrës ja ka drejtu shqetësimin e banorëve Ministrisë së Mjedisit. Kemi marrë një përgjigje. Më pas ka vazhdu komunikimi dhe në bashkëpunim me prefektin dhe Ministrinë e Bujqësisë është ngritë një grup pune, por nuk e di pse nuk është vazhdu më tej me rastin, për të dalë në terren.
Varfëria dhe vështirësitë e jetesës kanë shtyrë vitet e fundit disa banorë të fshatrave të Pultit t’i drejtohen kultivimit të bimëve narkotike. Kryetari Marku thotë se, në përpjekje për të luftuar këtë fenomen, është hartuar edhe një program për të nxitur punësimin e banorëve.
Njësia Pult ka rreth 23 vetë që janë dënu për kultivim të lëndëve narkotike dhe që janë dënu me 117 vjet burg. Dhe, nëqoftëse i konvertojmë shpenzimet që pagun shteti për këta të burgosun asht sa 34 vjet vlera e ndihmës ekonomike e njësisë administrative Pult.
Projekti parashikon punësimin e një pjese të banorëve në shërbimet për gështenjat por, deri tani, projekti nuk ka gjetur mbështetje as nga strukturat shetërore dhe as shoqatat.
Ndërkohë, eksperti i organizatës SNVP, Mark Rupa, thotë se situata është serioze dhe se, pas Malësisë së Madhe dhe Shkodrës, sëmundja e grerëzës së gështenjës po përhapet edhe në zona të tjera në veri të vendit.
Pas Reçit kemi përhapje edhe në zonën e Dukagjinit. Është prek e gjithë zona e Dukagjinit dhe kjo shikohet nga evidencat e vetë banorëve, por edhe nga gjendja e pemëve dhe frutave. Në bazë të të dhënave ndërkombëtare, shpejtësia e përhapjes së këtij insekti është rreth 25 kilometër në vit. Duhet urgjentisht të marren masa konkrete që të alukohen fonde dhe të fillojnë punën institutet kërkimore bashkë me ekipet e terrenit në mënyrë që të evidentojnë situatën dhe të ndërhyjnë direkt. Zgjidhje ka, nuk është një situatë pa zgjidhje. Ka edhe kosto, por kostot janë shumë më të vogla se sa dami vjetor që jep kjo sëmundje.
Fshatrat e Pultit kanë një perisazh të pakrahasueshëm të natyrës por, për shkak të vështirësive të rrugës, të paktë janë ata që mund ta shijojnë. Ndërkohë, pas disa javësh, me ardhjen e dimrit, rruga do të bllokohet deri në pranverë.