Këtë javë Kina e tregoi sërisht ngërçin që përjetojnë kompanitë amerikane që zhvillojnë aktivitete biznesi në këtë vend, pas një mesazhi në Twitter të menaxherit të përgjithshëm të një ekipi të Ligës Profesionale të Basketbollit (NBA), në mbështetje të protestuesve pro-demokracisë në Hong Kong që shkaktoi reagime të forta në Pekin.
Daryl Morey, menaxheri i përgjithshëm i ekipit të basketbollit të Houston Rockets postoi në Twitter një mesazh në mbështetje të lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong, të cilin e fshiu pak më vonë dhe kërkoi falje për shkak të reagimeve të tifozëve të ligës profesioniste të basketbollit në Kinë.
"Nëse NBA (Shoqata Amerikane e Basketbollit, e cila mbikqyr ligën profesionale të basketbollit në Shtetet e Bashkuara) dëshiron një pjesë të tregut kinez, atëherë ajo duhet të kuptojë kulturën dhe qëndrimet e vendit tonë", tha 18-vjeçari Li Xintong për agjencinë e lajmeve Reuters ndërsa po priste mbërritjen e ekipeve amerikane të Los Angeles Lakers dhe Brooklyn Nets në Shanghai për një ndeshje miqësore më 10 tetor.
Kina u përgjigj ndaj postimit në Twitter të menaxherit Morey duke hequr logot e NBA dhe pezullimin e marrëdhënieve të sponsorëve kinezë me Shoqatën Amerikane të Basketbollit.
Tregu masiv ekonomik i Kinës ka detyruar prej kohësh kompanitë perëndimore të veprojnë me kujdes mbi temat që lidhen me çështje të ndjeshme politike. Studiuesit e çështjeve kineze thonë se postimi në mediat sociale në mbështetje të Hong Kongut u bë gjatë një kohe të ndjeshme në Kinë, duke nxitur përgjigjen e ashpër të saj.
"Tashmë me rastin e 70 vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës është një kohë më e ndjeshme për vendin. Mendoj se edhe tensionet tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara si dhe protestat në Hong Kong, e kanë bërë më të ndjeshme gjendjen atje, sepse bota tani po e sheh më ndryshe Kinën", thotë Kevin Klowden, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Ekonomi Rajonale në Institutin Milken.
Menaxheri i ekipit Rocket kërkoi falje në mediat sociale duke thënë: "Nuk kisha për qëllim të ofendoja tifozët dhe miqtë e ekipit tim Rockets në Kinë. Unë thjesht shpreha një mendim, bazuar në një interpretim të vetëm, të një ngjarje të ndërlikuar. Që atëherë pata shumë mundësi për të menduar mbi postimin tim dhe të marr në konsideratë këndvështrime të tjera".
Reagimi amerikan për këtë çështje
Por ndryshe nga rastet e mëparshme, kur përpjekjet e kompanive amerikane për të qetësuar audiencën kineze kanë kaluar kryesisht pa u vënë re nga publiku amerikan, kërkesa për falje nga NBA shkaktoi reagimin e ligjvënësve dhe tifozëve amerikanë ndaj Pekinit.
Komisioneri i NBA-së Adam Silver bëri një deklaratë duke mbrojtur lirinë e shprehjes që është bërë pjesë e markës së NBA-së.
"Vlerat e mbajtura prej kohësh nga NBA janë mbështetja e lirisë së shprehjes dhe sigurisht lirinë e shprehjes në komunitetin e Shoqatës Amerikanë të Basketbollit dhe në këtë rast zoti Daryl Morey si menaxher i përgjithshëm i Houston Rockets i gëzon këto të drejta si një nga punonjësit tanë".
Analisti Klowden thotë se është gjithmonë një sfidë për bizneset që të operojnë mes censurës në Kinë dhe vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Asnjë kompani nuk do të dëshironte të bëhej pengesë mes këtyre dy ekonomive gjigande. Nëse kjo ndodh, kompanitë përpiqen të veprojnë me një balancë shumë delikate në mënyrë që të mos fyejnë asnjërën palë dhe vetë të mbeten të paprekura", thotë analist Klowden.
Hollywood-i po ndjek më vëmendje çështjen
NBA nuk është biznesi i vetëm që po përpiqet të mos fyejë Kinën. Edhe Hollywood-i po tregohet i kujdesshëm, me llojet e filmave që po prodhon të cilët po portretizojnë Kinën në një dritë pozitive dhe po shmangin disa tema të caktuara.
"Temat kryesore që shmangen janë Tibeti, Tajvani, ngjarjet e vitit 1989 në Sheshin Tiananmen dhe gjithçka që merret me çështje të sovranitetit", thotë Stanley Rosen, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kalifornisë Jugore.
"Gjithnjë e më shumë disa njerëz sugjerojnë se zgjerimi i Kinës, nxit njerëzit që të mos bëjnë gjëra që nuk i pëlqejnë Kinës", thotë ai.
"Sigurisht që kurrë nuk dëshironi të ofendoni klientët tuaj, por në të njëjtën kohë është problematike në përgjithësi që idetë kineze, idetë e qeverisë kineze të diktojnë atë që ju thoni", thekson Clayton Dube, drejtor i Institutit SHBA-Kinë në Universitetin e Kalifornisë Jugore.
Regjisorët e emisionit televiziv amerikan South Park, një serial vizatimor që i trajton me humor tema të ndjeshme, i kushtuan një episod vetë-censurimit të industrisë së argëtimit lidhur me Kinën. Kur Pekini u përgjigj duke ndaluar transmetimin e serialit në Kinë, regjisorët orkestruan një falje sarkastike nga personazhet Trey Parker dhe Matt Stone.
Ata shkruan: "Ashtu si NBA (Shoqata Amerikane e Basketbolli), edhe ne i mirëpresim censuruesit kinezë në shtëpitë tona dhe në zemrat tona. Ne gjithashtu i duam paratë më shumë sesa liria dhe demokracia".
Reagimet e regjisorëve të serialit South Park dhe drejtuesve të NBA-së ndaj Kinës po sjellin pasoja që nuk ishin planifikuar.
"Imazhi i Kinës po merr një goditje të rëndë në të gjithë botën si rezultat i kësaj. Po e kthen vëmendjen (te veprimet e Kinës)," thotë profesor Rosen.
Ai thotë se mbulimi i gjerë mediatik po tërheq vëmendjen te ndikimi i Kinës në bizneset amerikane dhe protestat në Hong Kongut.
"Shumica e njerëzve nuk e dinë se çka po ndodh në Hong Kong dhe nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje protestave atje. Por tani që NBA është bërë pjesë e zhvillimeve, ata do t’i kushtojnë vëmendje kësaj çështjeje. Dhe ndërsa njerëzit mësojnë më shumë për këto zhvillime, ata mund të arrijnë në përfundimin se njerëzit në Hong Kong kanë arsye që protestojnë”, thotë profesor Rosen.