Komisioni i Venecias miratoi sot opinionin përfundimtar lidhur me vendimin e Presidentit Ilir Meta për të anulluar 30 qershorin si datë të zgjedhjeve. Në një deklaratë të tijën Komisioni, thekson se ekspertët e tij janë të mendimit se ndonëse Presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave kushtetuese, veprimet e tij mund të mos justifikojnë shkarkimin nga detyra.
Your browser doesn’t support HTML5
Deklarata e Komisionit të Venecias pas shqyrtimit në seancë plenare të rastit të Presidentit shqiptar Ilir Meta për anullimin e datës së zgjedhjeve, i mëshon kryesisht aspektit të shkarkimit ose jo të Kreut të Shtetit, siç synon parlamenti i cili ka ngritur dhe një komision të posaçëm hetimor hetimor. “Ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese, ka të dhëna se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre të tillë që mund të justifikojnë shkarkimin e tij”, thekson deklarata duke ju referuar përfundimeve të ekspertëve.
Në fakt dhe në projekt opinion theksohej se “Presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anulluar dhe duke shtyrë zgjedhjet vendore përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve vendore pa një bazë ligjore specifike. Megjithatë, elementët e parashtruar më sipër mund të çonin në konluzionin se këto akte mund të mos kenë qenë të një natyre mjaftueshmërisht të rëndë për të autorizuar një shkarkim të Presidentit”.
Në deklaratë e sotme vërehet se “edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta ose katastrofa natyrore, Kuvendi do të duhej të miratojë legjislacion të posaçëm për të shtyrë zgjedhjet”, vë në dukje teksti. Në projekt-opinion, ekspertët e Komisionit të Venecias, duke patur parasysh situatën e krijuar në Shqipëri, theksojnë se presidenti Meta mund të ketë patur synime legjitime, por se ai nuk ka patur asnjë bazë ligjore për vendimin e marrë. “Anullimi i zgjedhjeve është i mundshëm vetëm në situatat të cilat plotësojnë kërkesën për deklarimin e një gjendje të emergjencës. Megjithatë, rregullat e aplikueshme kushtetuese për situatat e emergjencës nuk janë ndjekur në këtë rast. Nuk ka patur as konsensus politik, i cili do të kishte lejuar përcaktimin e një baze ligjore ad hoc”.
Sipas deklaratës “në përgjigje të krizës politike në vend dhe një bojkoti zgjedhor nga disa parti të mëdha politike, Presidenti fillimisht anuloi dhe më pas shtyu zgjedhjet vendore”. Në lidhje me këtë moment, në projekt opinion jepet një shpjegim më i detajuar, duke qenë se bojkoti i opozitës ishte dhe një ndër argumentat e presidentit Meta për të anulluar datën 30 Qershor duke qenë se në ato zgjedhje nuk merrnin pjesë forcat kryesore të opozitës. Dhe sipas ekspertëve “bojkoti i zgjedhjeve nga partitë politike, edhe në qoftë se ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Për ndryshe, këto parti do të merrnin fuqinë për të penguar plotësisht çdo palë zgjedhje”.
Duke ju rikthyer vendimit të parlamentit për rastin, në deklaratë theksohet se “edhe nëse parlamenti do të konstatonte se Presidenti tejkaloi kompetencat e tij, Komisioni i Venecias vë në dyshim nëse ky veprim ishte i një karakteri të tillë sa për të vërtetuar nje "shkelje serioze", ndërsa shtohet më tej se “edhe nëse Kuvendi do të përcaktonte seriozitetin e shkeljeve, kjo nuk duhet domosdoshmërisht të çojë në shkarkim, duke marrë në konsideratë, fuqinë e seancës plenare të parlamentit për të marrë parasysh qëllime të tjera kushtetuese, siç janë ruajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabilitetit në vend”.
Ndërsa vë në dukje se dekreti i presidentit nuk u sfidua para një gjykate, në deklaratën e sotme të Komisionit të Venecias, nënvizohet se “nëse parlamenti do të vendoste në favor të shkarkimit, në fund do t'i takonte Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht nuk funksionon, të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit janë shkelje "serioze" që do të justifikonin shkarkimin e tij”, përfundon deklarata.
Projekt opinioni i Komisionit të Venecias u kritikua ashpër nga Presidenti Meta. Në thelb të kundërshtimeve, ishte fakti se sipas tij vlerësimet ligjore “janë të pamjaftueshme nëse nuk vendosen në dritën e rrethanave ekstreme ku janë zbatuar”. Sipas presidentit “projekt-opinioni është shpeshherë kontradiktor” dhe se “krijohet përshtypja se ekspertët e Komisionit të Venecias janë udhëhequr apriori nga disa ide fikse duke bërë që faktet dhe analiza të mos kenë përputhje racionale me konkluzionet e projekt-opinionit”.
Edhe në intervistat e tij të ditëve të fundit, Presidenti mbajti të njejtat tone të larta, duke përsëritur madje se për të nuk kishte fare rëndësi opinioni i Venecias, ndonëse më herët ai kishte shprehur vlerësime për këtë institucion, të njohur gjerësisht për ekspertizën e tij të specializuar për cështje që lidhen me interpretime kushtetuese.