Reagime të ashpra pas zgjedhjes së Peter Handkes për Nobelin për letërsi

  • Keida Kostreci

Shpallja e austriakut Peter Handke si fitues i çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019, u prit menjëherë me reagime të ashpra. Kritikët e quajtën atë mohues të gjenocidit, dhe vunë në pah lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviçin dhe deklaratat në mbrojtje të nacionalizmit serb dhe kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Zoti Handke ka marrë pjesë në funeralin e Millosheviçit.

Të enjten Akademia Suedeze njoftoi se Handke fitonte për vitin 2019,ndërsa autorja polake Olga Tokarczuk për vitin 2018.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku i tha Zërit të Amerikës se vendimi për t’i dhënë çmimin një mohuesi të gjenocidit dhe justifikuesi të Millosheviçit është një shuplakë për të gjitha viktimat e luftrave në Kosovë dhe Bosnje.

“A jemi imunizuar aq shumë ndaj racizmit, të pandjeshëm emocionalisht ndaj dhunës, aq komodë me mbajtjen me të mirë, saqë mund të anashkalojmë bindjet e dikujt që përputhen me axhendën e mbrapshtë të genocidit?”

Zonja Çitaku tha se shpreson që academia ta tërheqë vendimin.

“Arti, humanizmi dhe etika, janë dhe duhet të jenë të gërshetuara. Nuk ka dyshim që fituesit të këtij viti i mungojnë ato. Nëse jo atëherë Handke do ta varë medaljen e Çmimit Nobel pranë Urdhrit Kalorsiak Serb që i është dhënë personalisht nga Millosheviçi”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

Shkrimtari Salman Rushdie, më i njohur për “Vargjet Satanike”, e kishte denoncuar Handken në vitin 1999 për qëndrimet e tij ndaj fushatave të Millosheviçit. Të enjten, ai iu përgjigj një postimi në Twitter të zonjës Çitaku.

“Unë kam shkruar për idiotësirat e Handkes para 20 vjetësh. Jam dakord me ju”.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, në një letër drejtuar Akademisë së Çmimit Nobel, shprehu indinjatën e saj, duke e quajtur Handken një eksponent të shquar të ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviçit dhe luftërave të tij gjenocidale në Ballkan,

“Si Akademi e një shteti të sapo krijuar mbi vlerat perëndimore të lirisë së popujve dhe institucion që edhe vetë ka vuajtur segregacionin dhe aparthejdin e një regjimi të urryer dhe luftën e tij shfarosëse, nuk kemi besuar se kaq shpejt do të përballemi me humbjen e kujtesës dhe amnistinë morale të atyre që mbështeten me aq pasion një vrasës të popujve, siç bëri laureati i juaj, Peter Handke”, thuhet në letër.

Organizata PEN America, që mbron lirinë e shprehjes dhe promovon letërsinë, u shpreh e tronditur me ndarjen e çmimit Nobel për autorin Handke.

"Jemi të shtangur me përzgjedhjen e një shkrimtari, i cili ka shfrytëzuar zërin e tij publik për të minuar të vërtetën historike dhe për t'iu ofruar ndihmë publike autorëve të gjenocidit, si ish-presidenti serb, Sllobodan Milloshevç, dhe ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç”, thuhet në qëndirmin e organizatës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi se ky vendim sjell dhimbje për shumë njerëz.

"Mbaj mend në vitin 1990 Vaclav Havel, Susan Sontag dhe shumë të tjerë e dinin se e keqja në Evropë duhet të ndalet dhe se gjenocidi në Kosovë e në Bosnjë e kishte një përgjegjës. Handke vendosi t'i mbrojë e përkrah përgjegjësit. Ky vendim sjell dhimbje të thellë për shumë viktima", shkroi presidenti Thaçi.

"Çmimi për Handken është fyerje për viktimat e shovinizmit serb", thuhet në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje duke shtuar se "për kujtesën e viktimave të dhunës serbe në Kosovë, për mbi 12 mijë të vrarët gjatë luftës, për mbi 20 mijë gra, burra e fëmijë të dhunuar seksualisht, për njerëzit të cilët vuajtën dhe ende vuajnë traumën e pësuar, për familjarët e mbi 1600 personave ende të pagjetur, ky çmim i dhënë nga Akademia Suedeze për Peter Handken është fyerje e rëndë. Plagët ende të pambyllura, dhembin e djegin. Nuk është letërsi e mirë, nuk është letrar i mirë, ai që i bashkohet dhunës së luftës, ai që poshtëron e fyen viktimat".

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkruante në Twitter se “paturpësia po bëhet pjesë normale e botës ku jetojmë. Pas zgjedhjes të turpshme nga një autoritet moral si Akademia e Nobelit, turpi vuloset si një vlerë e re”.


Një nga gazetarët dhe shkrimtarët më të njohur boshnjakë, Zlatko Dizdarevic i tha shërbimit boshnjak të Zërit të Ameriksë, se nuk habitet.

“Çmimi Nobel për letërsinë ka kohë që nuk është provë në vetvete e një cilësie të lartë apo madhështisë së punës së dikujt. Dhe meqë ra fjala, tetë vetë në historinë e Çmimit Nobel, e kanë fituar atë për çështjen palestinezo-izraelite dhe sot jemi më larg një zgjidhjeje se kurrë”, tha ai.

Analisti Florian Bieber i Universitetit të Gracit në Austri tha shërbimit serb të Zërit të Amerikës, se ajo që e bën zgjedhjet edhe më problematike është se idetë e Handkes pro nacionalizmit serb, janë reflektuar edhe në punën e tij.

“Ai ka këmbëngulur në mbrojtjen që i ka bërë pozicionit të atij që e ka quajtur pozicion serb, por unë do ta quaja pozicion nacionalist serb. Dhe kjo e bën dhënien e çmimit shumë problematike sepse nuk janë vetëm deklaratat e tij politike por i ka përfshirë në shkrimet e tij dhe tre libra, dy nga të cilët shënime udhëtimesh dhe një skenar pjese teatrale që reflektojnë këto pikëpamje”.

Çmimi Nobel për letërsi nuk ishte dhënë vitin e kaluar, pas akuzave për abuzim seksual dhe çështje të tjera brenda radhëve të Akademisë Suedeze, që zgjedh fituesin.

Problemet në Akademinë Suedeze, shpërthyen pas një skandali lidhur me Jean-Claude Arnault, një personalitet kulturor në Suedi, që është edhe bashkëshorti i poetes Katarina Frostenson, anëtare e akademisë.