Sanders: Së shpejti do t'i kthehem fushatës për president

Kandidati demokrat për president Bernie Sanders thotë se së shpejti do t’i kthehet fushatës ndërsa po merr veten pas një goditje në zemër në shtëpinë e tij në Vermont.

Duke folur me gazetarët pas një takimi me kardiologun të martën, zoti Sanders tha se ndihej mirë dhe se do të rishohë axhendën e takimeve në kuadër të fushatës.

"Siç e dini në disa raste ne po kryenim pesë ose gjashtë takime në ditë, tre ose katër mitingje e takime me grupe të ndryshme njerëzish. Nuk besoj se do të vazhdoj ta bëj më këtë gjë. Por sigurisht kam ndërmend të bëj fushatë aktive. Mendoj se duhet ta ndryshojmë pak natyrën e fushatës," tha zoti Sanders.

Zoti Sanders nuk dha ndonjë afat kohor se kur mund të kthehej në fushatë, por tha se ai synon të bëjë diçka që lidhet me të përpara debatit të radhës mes kandidatëve demokratë që mbahet ditën e martë.

Ai gjithashtu komentoi edhe zërat se gjendja e tij shëndetësore mund të përbëjë shqetësim për votuesit, duke u shprehur se votuesit e shohin në tërësi kandidatin, përfshirë integritetin dhe qëndrimin e tij për çështje të ndryshme.