Çfarë ndodh pas tërheqjes amerikane nga Siria veriore?

Shtëpia e Bardhë njoftoi të dielën se do të tërheqë trupat amerikane nga Siria verilindore, ndërsa Turqia përgatitet për ofensivë ushtarake. Vendimi u përcoll me kritika të forta nga Kongresi, me sqarime nga Pentagoni dhe me shqetësime nga aleatët e Amerikës në atë zonë.

“Jemi në Siri prej vitesh. Supozohej se angazhimi në Siri do të ishte një operacion i shkurtër. Supozohej se do të shkonim e do të dilnim që andej pa vonesë,” tha Presidenti Trump.

Aleatët kurdë, të cilët kishin marrë premtime se Shtetet e Bashkuara do të qëndronin si garanci kundër sulmeve turke, ndjehen të braktisur:

“Shtetet e Bashkuara, si gjithmonë na gënjyen dhe na shitën përsëri,” thotë një banor kurd i zonës.

Të martën në qytetin Ras al-Ain në Sirinë veriore banorët, kryesisht kurdë të zonës, protestuan kundër vendimit për tërheqjen e trupave amerikane nga pozicionet e tyre në kufi me Turqinë, në përgatitje për operacionin turk.

Forcat kurde kanë hequr që më parë instalimet ushtarake nga pjesa veriore pasi kishin marrë garanci të forta për mbrojtje nga Amerika. Tani banorët lokalë shqetësohen se do të kenë të njëjtin fat si sirianët e tjerë gjatë ofensivave të mëparshme turke.

“U vranë njerëz. U rrëmbyen gra. Plot njerëz braktisën shtëpitë. Turqia u soll në mënyrë çnjerëzore dhe shqetësohemi se do të ndodhë e njëjta gjë,” thotë një banore.

Masa është kritikuar nga demokratë e republikanë.

Senatori Lindsay Graham shkruante në Twitter: “Duke braktisur kurdët, kemi përcjellë sinjalin më të rrezikshëm që mund të dërgonim: Amerika nuk është aleate që mund t’i zësh besë”.

“Me sa shohim, zoti Trump humbet nganjëherë durimin apo përqëndrimin lidhur me mbrojtjen e fitores. Shpesh kemi pasur suksese në Lindjen e Mesme, të cilat jemi përpjekur fort për t’i arritur, por jo aq sa duhet për t’i mbrojtur,” thotë analisti Michael O’Hanlon.

Duket se Pentagoni e gjen veten në mes të këtij debati dhe sot nxori një deklaratë ku thotë se Departamenti i Mbrojtjes “nuk mbështet operacione turke në Sirinë e veriut”.

Analistët po ngrenë shqetësimin e një dinamike të re që mund të krijohet në rajon pas tërheqjes së trupave amerikane.

Bulent Aliriza, Drejtor për Projektin e Turqisë, Qendra për Studime Strategjike e Ndërkombëtare

“Nëse Amerika tërhiqet vërtetë, ashtu siç tha presidenti, pozicioni i Rusisë në Siri do të forcohej shumë. Po ashtu edhe pozicioni i Iranit, për të cilin Presidenti Trump ka thënë se do t’i kundërvihet në të gjitha ambicjet e Teheranit në Lindjen e Mesme. Aleatët e Amerikës, të cilët mbështeten tek Shtetet e Bashkuara, jo vetëm kurdët e Sirisë, por edhe të tjerë, veçanërisht në Gjirin Persik, do ta shohin këtë tërheqje si sinjal i mungesës së vullnetit nga ana e Shteteve të Bashkuara për të ruajtur aleancat në rajon,” thotë Bulent Aliriza, Drejtor për Projektin e Turqisë, Qendra për Studime Strategjike e Ndërkombëtare.

U duk se presidenti u tërhoq pak nga deklarata fillestare, duke kërcënuar Turqinë me sanksione që do t’ia shkatërronin ekonominë nëse forcat e saj bënin ndonjë akt të papranueshëm.

“Nuk mendoj se jemi të pozicionuar si duhet për të shkëmbyer kërcënime me Turqinë lidhur me akte hakmarrëse ndaj njëri-tjetrit. Ka shumë më tepër rëndësi që të përpiqemi të bashkëpunojmë në terren për të ngushtuar hendekun mes nesh,” thotë analisti O’Hanlon.

Zyrtarët në Pentagon shqetësohen se Shteti Islamik, armiku i përbashkët i turqve, kurdëve dhe amerikanëve, mund ta shfrytëzojë këtë përplasje mes aleatëve për t’u rikthyer në këtë zonë.