Tirana përshëndet zgjedhjet në Kosovë

Drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës në Shqipëri përshëndetën sot zgjedhjet në Kosovë në të cilat, partitë kryesore të opozitës, Vetvendosja dhe LDK, dolën fituese. “Zgjedhjet e djeshme në Kosovë ishin një shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë dhe i besimit te demokracia dhe vota e lirë”, deklaroi presidenti Ilir Meta, duke uruar qytetarët dhe klasën politike të Kosovës të cilët sipas tij “i treguan mbarë botës se shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira, si ato që e gjithë bota ndoqi dje në Kosovë”.

Nga ana e tj kryeministri Edi Rama foli për “për zgjedhje të suksesshme parlamentare” duke uruar “Vetëvendosjen e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. LDK e Vjosa Osmanin për rezultatin e dytë më të mire” por dhe “PDK e Kadri Veselin për pranimin shembullor të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën”, përfundon postimi i zotit Rama në Twitter.

Për drejtuesin e opozitës shqiptare Lulzim Basha “Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj si shtet demokratik. Populli i Kosovës votoi për ndryshim duke mandatuar opozitën për të udhëhequr në rrugën e transformimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik”. Ndërsa uron dy partitë fituese, Vetvendosjen dhe LDK-në për fitoren, zoti Basha shton më tej se “populli i Kosovës dha një shembull frymëzues me pjesmarrjen civile dhe masive në zgjedhje, Policia e Kosovës tregoi profesionalizëm të lartë në ndalimin e menjëhershëm të atyre që cënuan sekretin e votës së lirë duke e fotografuar atë. Kosova i dëshmoi botës se është një demokraci funksionuese dhe se meriton sa më parë vendin dhe rolin e saj në të gjitha institucionet dhe proceset ndërkombëtare”.

Edhe për drejtuesen e LSI-së, Monika Kryemadhi “zhvillimi i zgjedhjeve në Republikën e Kosovës ditën e djeshme ishte një tregues i shkëlqyer i maturisë demokratike që kanë arritur qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politik. Kosova dha një shembull të kulturës demokratike dhe përgjegjësisë qytetare, i cili do të ndikojë pozitivisht në rritjen e statusit ndërkombëtar të saj”.