Në Shqipëri Partia Demokratike i kërkoi sot Prokurorisë që të nisë hetimet ndaj kryeministrit Edi Rama pas të dhënave të reja lidhur me një pagesë prej 80 mijë dollarësh e cila dyshohet se u bë për të mundësuar në vitin 2012, një foto të zotit Rama me presidentin e atëhershëm amerikan Barack Obama.
Kërkesa e Partisë Demokratike vjen pasi një gjykatë në Shtetet e Bashkuara dënoi me 4 muaj burg 61 vjeçarin William Argeros për kontribut të paligjshëm nga një i huaj në një komitet të përbashkët për mbledhjen e fondeve për presidentin Barack Obama në vitin 2012. Avokati i zotit Argeros citohet të deklaruar gjatë procesit se klienti i tij kishte vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama, dhe se kandidati ishte Edi Rama, kryeministri aktual i Shqipërisë.
Më herët, një Gjykatë në New Jersey, dënoi në vitin 2017 me kusht, shqiptarin me banim në SHBA, Bilal Shehu, i cili kishte blerë dhe biletat për të marrë pjesë në një takim të mbledhjes së fondeve më 8 tetor të vitit 2012, në San Francisco.
Duke ngritur dyshime të shumta mbi origjininë e këtyre parave që sipas saj janë paguar nga kryeministri, opozita shprehet se “zoti Rama sipas saj ka konsumuar të paktën 3 vepra penale, nga veprimet e tij të kundërligjshme: Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,
Në kohën kur shpërtheu ky debat, në verën e vitit 2016, zyra e shtypit e kryeministrit, deklaroi se as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Ndërsa lidhur me njohjet e tij me Bilal Shehun, u shpjegua se ai “është pjesëtar i komunitetit shqiptar në Neë York dhe është takuar me delegacionin shqiptar në SHBA në vitin 2012. Por në mënyrë kategorike nuk ka patur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama”.