Pagesa e hotelit nga “Fusha”, Mazniku në Prokurori

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku, u paraqit të hënën në Prokurori për të dhënë shpjegime lidhur me një pagesë prej 1816 euro, që sipas publikimeve në media dhe rrjetet sociale një muaj më parë, ishte bërë nga Kompania Fusha në emër të tij, për dy netë qëndrimi në Barcelonë në një hotel të shtrenjtë, në qershor të vitit të kaluar.

Pasi qëndroi afër 1 orë, në dalje nga Prokuroria, zoti Mazniku, nuk dha ndonjë shpjegim mbi rastin, duke u shprehur se ishte “i kënaqur që munda t’i jap informacionin e duhur Prokurorisë së Tiranës lidhur me një çështje që është debatuar në media kohët e fundit. Mënyra më e mirë për të gjithë balt-hedhësit, e gjobvënësit, është që t'i japim drejtësisë informacion sipas anës dokumentare, dhe pastaj t’i japim asaj mundësinë që të shprehet, se vetëm e vërteta është ajo që i mund lajmet e rreme, baltën e zhurmën”, u shpreh ai.

Opozita e akuzoi zotin Mazniku se ka patur detyrimin ligjor që të deklaronte pagesën si dhuratë, ndërsa foli dhe për një shkelje të ligjit për konfliktin e interesit nga ana e tij, duke qenë se kompania “Fusha” rezulton të jetë, sipas saj, përfituesja më e madhe e fondeve të Bashkisë së Tiranës për realizimin e veprave publike.

Në atë kohë në një reagim për "Zërin e Amerikës", Bashkia sqaroi se “në datat 19 - 20 qershor 2018 në Barcelonë u mbajt ceremonia e dhënies së çmimeve “European Prize for Urban Public Space 2018’, ku sheshi “Skënderbej” fitoi Çmimin e parë, - thuhet në reagimin e bashkisë së Tiranës për “Zërin e Amerikës”. - Ky çmim i shkoi Arkitektit ‘54N4E’/Kompanisë Zbatuese "Fusha" dhe Kontraktorit - Bashkia Tiranë. Me rastin e marrjes së këtij Çmimi prestigjoz, një grup nga Shqipëria udhëtoi për në Barcelonë për të marrë pjesë në ceremoni dhe për të tërhequr çmimin. Kompania “Fusha” mori përsipër të mbulojë shpenzimet për grupin nga Shqipëria, kësisoj duke mos shpenzuar fonde të Bashkisë së Tiranës për një çmim që i jepej si bashkisë edhe kontraktorit për realizimin” - thuhej në shpjegimet e bashkisë së Tiranës.

"Zëri i Amerikës" kërkoi më pas informacion nga Bashkia lidhur me pjesëtarët e tjerë të grupit që mori pjesë në ceremoni, ku ka qenë i pranishëm dhe kryetari Erion Veliaj, apo dhe vlerën dhe llojin e shpenzimeve të sponsorizuara nga kompania “Fusha”, po nuk mori më asnjë përgjigje.

Sot Partia Demokratike publikoi një dokument zyrtar nga Agjencia e Prokurimeve Publike, sipas të cilit “Bashkia e Tiranës ka shpenzuar mbi 9 milionë lekë për udhëtimin në Barcelonë, ku ka marrë pjesë jo vetëm nënkryetari në hetim i Bashkisë së Tiranës, por edhe Kryetari Erion Veliaj. Në reagimin për "Zërin e Amerikës", për të justifikuar pagesën prej 1816 euro të hotelit të Maznikut prej kompanisë "Fusha", Bashkia deklaroi se të gjitha shpenzimet e udhëtimit i pagoi kjo kompani, që ndërtoi sheshin Skënderbej.

"Dokumenti i Agjencisë së Prokurimit Publik është një provë e mashtrimit flagrant që Erion Veliaj u ka bërë qytetarëve të Tiranës, duke i gënjyer ata dhe median për udhëtimin luksoz dy ditor në Barcelonë”, - deklaroi ish deputetja e PD, Dhurata Çupi.

Nga verifikimet e bëra nga "Zëri i Amerikës" në Degën e Thesarit, rezulton se Bashkia e ka likujduar pagesën për udhëtimin në Barcelonë në favor të një agjencie udhëtimi.

I pyetur rreth kësaj çështjeje pak javë më parë, në emisionin “Real Story”, të gazetarit Sokol Balla, në “News 24”, kryetari Veliaj dha një shpjegim të ndryshëm nga ai i Bashkisë për “Zërin e Amerikës”.

“Bëhet fjalë për një prenotim, jo për një pagesë. Ajo që më rezulton se ka ndodhur është se zotëria ka bërë një prenotim dhe për stafin e Bashkisë”, - tha zoti Veliaj, duke i mëshuar disa herë faktit se ata kishin shkuar në Barcelonë si “një skuadër” për të tërhequr një çmim, që i përkiste disa palëve njëkohësisht, Bashkisë, projektuesit dhe realizuesit të projektit të “Sheshit Skënderbej”.