Greqia bllokon sasi të mëdha marijuane, dyshime se erdhi nga Shqipëria

  • Raimond Kola

Mjetet kryesore greke të informimit njoftuan të hënën për vijimin e operacionit ndaj trafikantëve që dyshohet se transportonin drogë nga Shqipëria për në Turqi, përmes hapësirës detare greke, me mjete lundrimi super të shpejta.

Sipas mediave greke, rreth 1 tonë marijuanë u gjet e fshehur në ishullin Piperi, afër kufirit detar greko- turk. Sipas rojës bregdetare greke lënda narkotike ishte paketuar në 103 kuti të fshehura në një shpellë të ishullit, ndërkohë që operacioni u kordinua me mjete kërkimi nga toka, ajri dhe deti.

Më herët, roja bregdetare greke kishte bllokuar në dy operacione të shtrira në harkun e katër ditëve dy skafe super të shpejta duke arrestuar katër shqiptarë të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar të narkotikëve.

Roja bregdetare greke dyshon se një pjesë e lëndës narkotike arriti të transportohej në Turqi, ndërsa një pjesë tjetër dyshohet se është hedhur në det nga trafikantët.

Personat e arrestuar, sipas mediave greke, nuk i kanë pranaur akuzat ndërkohë që ende nuk ka të dhëna zyrtare se ku është siguruar lënda narkotike. Policia shqiptare kishte pohuar të premten, kur u bllokua skafi i parë dhe nisi operacioni nga roja greke dhe Frontex, se nuk kishte të dhëna që skafet e dyshuara për narkotikë të ishin nisur nga Shqipëria.

Hetimet e mëtejshme në anë greke pritet të hedhin dritë mbi këtë aktivitet që sipas rojës bregdetare greke përfshin një rrjet të gjerë ndërkombëtar të trafikut të drogës.