Moskë, protestuesit bëjnë thirrje për lirimin e të burgosurve politikë

  • Zllatica Hoke

Një tjetër protestë masive u zhvillua të dielën në Moskë, në të cilën pjesëmarrësit bënë thirrje për lirimin e njerëzve që janë burgosur për pjesëmarrje në protestat paqësore kundër qeverisë që nga korriku. Për dallim nga shumica e protestave të mëparshme, tubimi i së dielës u lejua nga autoritetet e qytetit. Opozita ruse thotë se protestat e saj javore kanë shënuar disa fitore.

Të paktën 20,000 protestues u mblodhën në qendër Moskës dje për të bërë thirrje për lirimin e protestuesve dhe të burgosurve politikë që po mbahen në burg që nga viti 2003. Njëri nga organizatorët kryesorë, kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny mbajti fjalim para protestuesve.

"Ne do t'i detyrojmë ata që t’i lirojnë të burgosurit politikë nëse mbledhim një numër të madh protestuesish. Secili prej nesh ka një armë të fortë në xhep, telefonin celular. Postoni çdo ditë në Instagram dhe në Twitter. Çdo dialog me çdo zyrtar duhet fillojë me fjalën 'lironi (të burgosurit politikë)'".

Më shumë se 2,000 protestues janë burgosur në muajt e fundit për pjesëmarrje në protesta të pa autorizuara. Disa njerëz janë dënuar deri në katër vjet burg, dhe të tjerët po ndiqen penalisht për krime si dhuna ndaj policisë.

"Duhet të ketë një ndryshim të autoritetit, para së gjithash. Kjo duhet të kishte ndodhur në vitin 2004. Presidenti Vladimir Putin duhej të qëndronte në pushtet vetëm për katër vjet, dhe më pas duhej të largohej. Dhe tani ne kemi atë që kemi, këtë gyqësor arbitrar", thotë Lyudmila një protestuese anti-qeveritare.

Që nga korriku, janë zhvilluar protesta në Moskë kundër përjashtimit të kandidatëve të opozitës nga zgjedhjet për asamblenë e qytetit. Autoritetet nuk kanë pranuar të lëshojnë leje për shumicën e protestave, por organizatorët u bënë thirrje njerëzve të dilnin gjithsesi dhe shumë prej tyre u arrestuan. Akuzat për brutalitet nga ana e policisë dhe dënimet e rrepta me burg kanë nxitur reagimet nga publike dhe thirrje për lirimin e tyre.

"Parulla e protestës "lirojini ata!", përfaqëson kërkesën tonë që autoritetet të lirojnë të gjithë të burgosurit politikë, të gjithë ata që janë dënuar padrejtësisht, ata që janë gjykuar për pjesëmarrje në një protestë, për të luftuar për zgjedhje të ndershme. Të gjithë ata u dënuan në mënyrë të paligjshme”, thotë Alxander, një punonjës i teknologjisë së informacionit.

Policia ka thënë se njerëzit u arrestuan ose u ndoqën penalisht për shkelje të ligjit dhe se disa prej protestave duhej të shpërndaheshin sepse nuk ishin të autorizuara.Këkesa për protestën e së dielës ishte miratuar nga autoritetet e qytetit.

"Për mua është shumë e rëndësishme që protesta të jetë e autorizuar sepse që pas 27 korrikut, kam frikë të marr pjesë në tubime të paautorizuara. Por mendoj se është shumë e rëndësishme që gjykatat tona të jenë të drejta, jo si ato që kanë shqyrtuar rastet e fundit gjyqësore. Shpresoj që ne të kemi ndikim", thotë protestuesja Yekaterina Bogatova.

Organizatorët e protestës thonë se tubimet kanë pasur rezultate pasi partia pro-Kremlinit humbi një të tretën e vendeve të saj në asamblenë e qytetit të Moskës edhe pse arriti ta ruante shumicën. Por Navalny ka paralajmëruar se luftëtarët e lirisë në Rusi përballen me një rrugë të gjatë dhe të vështirë përpara.