Tiranë, opozita do të marrë pjesë në takimin për zgjedhjet

Në Shqipëri opozita vendosi sot të marrë pjesë në konferencën që do të organizohet nesër nga OSBE-ja dhe Parlamenti për çështjet e zgjedhjeve.

Vendimi u mor pas një mbledhjeje të kryetarit demokrat Lulzim Basha me drejtuesit e partive aleate. Opozita ka zgjedhur të përfaqësohet jo në nivel politik, por teknik.

Megjithatë pjesmarrja e saj mund të shihet si një sinjal i parë çtensionimi pas vendimit drastik të muajit shkurt për të braktisur parlamentin dhe lënë mandatet e deputetëve e që u pasua nga protesta të shumta dhe bojkoti i zgjedhjeve të 30 Qershorit. Pas takimit me aleatët zoti Basha priti dhe ambasadorin e OSBE-së Bernd Borchardt.

Javën e shkuar, kryetari demokrat kishte refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për t’u ulur dhe diskutuar për reformën zgjedhore, pasi sipas tij do të duhej të zgjidhej fillimisht kriza politike në vend.

Ai dha një përgjigje negative dhe për pjesmarrjen në konferencën e ditës së nesëme. Një ditë më pas në një intervistë për Zërin e Amerikës, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Matthew Palmer bëri thirrje për një dialog mes Qeverisë dhe opozitës pikërisht për Reformën zgjedhore, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që bllokimi I tanishëm politik të zgjidhej.