Një anëtar i lartë republikan i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në senatin amerikan thotë se edhe nëse Presidenti Donald Trump refuzon të zhbllokojë fondin prej 250 milion dollarësh në formë ndihmash ushtarake të parashikuara për Ukrainën, Kongresi do të japë fonde të reja për këtë qëllim.
Senatori Ron Johnson, republikan nga shteti Uiskonsën dhe kryetar i Nënkomisionit për Marrëdhëniet me Jashtë për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, i tha të mërkurën Shërbimit Ukrainas të Zërit të Amerikës se edhe nëse presidenti Trump anulon fondet për të ndihmuar vendin të luftojë agresionin rus siç ishte planifikuar, Kongresi do të miratojë një legjislacion për t’i dhënë përsëri këto fonde.
"Pavarësisht nga vendimi që ai mund të marrë, jam shumë i bindur se Kongresi kur të shqyrtojë buxhetin e vitit të ardhshëm fiskal, i cili është shumë pranë, më 1 tetor, do të sigurojë që edhe nëse Presidenti Trump vendos të mos lejojë shpenzimin e këtyre fondeve, përmes procesit legjislativ ai të mund të mos ketë asnjë mundësi tjetër përveç se të lejojë livrimin e tyre," tha senatori Johnson, i cili sapo është kthyer nga një turne në Evropën Lindore.
Senatori Johnson, së bashku me kolegun e tij të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, senatorin Chris Murphy, demokrat nga Kënektikati, nuk u lejuan të vizitojnë Rusinë, si pjesë e një delegacioni dypartiak të Kongresit që gjithashtu kishte planifikuar ndalesa në Ballkan dhe Ukrainë.
Senatori Mike Lee, republikan nga Juta, megjithatë u lejua të vizitonte Rusinë në atë që disa po e quajnë një vendim të Kremlinit për të favorizuar ligjvënësit amerikanë që kanë
votuar kundër sanksioneve ndaj Rusisë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane dhe aneksimin e Krimesë në vitin 2014.
(( https://www.sltrib.com/news/politics/2019/09/06/report-sen-mike-lee/ ))
"Ajo që po përpiqem të bëj është thjesht të ul shqetësimet për mungesën e mbështetjes ose për ndonjë lloj ndryshimi në mbështetjen amerikane për Ukrainën," tha senatori Johnson. "Unë mund t'ju them nga dega legjislative e qeverisjes në Kongres: mbështetja për Ukrainën, dhe kryesisht për popullin e Ukrainës, është praktikisht e njëzëshme."
Senatori Johnson, i cili u takua me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy ndërsa ishte në Kiev, tha se ishte i impresionuar nga qasja e drejtuesit të ri për zhdukjen e korrupsionit në vend.
"Morëm pjesë në ceremoninë e hapjes së Gjykatës së Lartë Anti-Korrupsion ... dhe në fjalën e tij, Presidenti Zelenskiy tha se ne jo vetëm do të luftojmë korrupsionin, por do ta mposhtim atë," tha senatori Johnson. "Sigurisht është një detyrë e vështirë, por synimi është i lavdërueshëm, kështu që u inkurajuam shumë."
I njëjti korrupsion problematik, shtoi ai, është arsyeja që presidenti Trump ka kërkuar një rishikim të 250 milion dollarëve të ndihmës ushtarake që pritet për Ukrainën.
"Një pjesë e arsyetimit të presidentit Trump për pezullimin e ndihmës është niveli i korrupsionit në Ukrainë, por gjithashtu edhe dëshira e tij për ta bërë Evropën të shtojë shpenzimet dhe të respektojë angazhimin për mbrojtjen rajonale", tha senatori Johnson, duke shtuar për Zërin e Amerikës se ai personalisht e ka diskutuar çështjen me presidentin Trump.
Javën e kaluar, gazeta Washington Post publikoi një editorial ku kritikonte Shtëpinë e Bardhë dhe zotin Trump për pezullimin e ndihmës ushtarake për ato që gazeta i quajti qëllime qartësisht politike.
Të hënën, tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve dërguan letra në Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë ku kërkojnë dokumente në lidhje me një udhëtim të fundit në Evropë të avokatit personal të presidentit Trump, Rudolph Giuliani, i cili në gusht i kërkoi ndihmësit të lartë të presidentit ukrainas Zelenskiy, Andriy Yermak të hetonte rolin e Hunter Bidenit, djalit të ish nënpresidentit dhe tani pretendentit demokrat presidencial Joe Biden, në bordin e një kompanie të gazit në Ukrainë.
(( https://www.nytimes.com/2019/08/21/us/politics/giuliani-ukraine.html )).
Anëtarët e komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, që ka një shumicë demokrate, akuzojnë presidentin Trump se ka pezulluar ndihmën ushtarake për të siguruar pajtimin e Ukrainës me kërkesën e Giulianit për të hetuar Hunter Bidenin.
Në një intervistë me Shërbimin ukrainas të Zërit të Amerikës javën e kaluar, një zyrtar i lartë i administratës nuk arriti të konfirmojë nëse 250 milion dollarët në fjalë aktualisht po rishikoheshin nga Shtëpia e Bardhë.
Të martën, megjithatë, Ambasadori William Taylor, i cili aktualisht është i ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Kiev dhe që ka shërbyer si Ambasador në Ukrainë nga viti 2006 deri në 2009, i tha Zërit të Amerikës se rishikimi i fondeve të ndihmës për Ukrainën nga Shtëpia e Bardhë ka të ngjarë të jetë drejt përfundimit.
"Fondet po rishikohen tani që flasim," tha ambasadori Taylor në një intervistë në Kiev. "Rishikimi duhet të jetë pranë përfundimit, pasi kemi dëgjuar që njerëzit që po e shqyrtojnë atë kanë bërë rekomandimet e tyre për Shtëpinë e Bardhë, dhe kështu jemi duke pritur për përfundimin e këtij shqyrtimi."
Ambasadori Taylor gjithashtu e quajti bashkëpunimin ushtarak SHBA-Ukrainë "shumë të fortë", duke shtuar se "kjo administratë ka ofruar në shumë aspekte, më shumë ndihmë sigurie për Ukrainën, përfshirë armë vdekjeprurëse, sesa në çdo kohë tjetër në të kaluarën".
Nëse Shtëpia e Bardhë nuk merr asnjë vendim për fondet e pezulluara të ndihmës ushtarake për Ukrainën deri në fund të vitit fiskal në 30 shtator, fondet skadojnë.
Ambasadori Taylor tha gjithashtu se ka shenja që "Kremlini do të donte të dilte nga Donbasi", një rajon separatist i mbështetur nga Rusia në Ukrainën Lindore.
"Mendoj se sanksionet kanë patur një efekt real mbi Rusinë, mbi individët rusë dhe ekonominë ruse më gjerësisht," tha ai, duke shtuar se, përtej sanksioneve, kostoja e ruajtjes së një prezence ruse në tokën e Ukrainës është në vetvete një barrë financiare.
Ambasadori Taylor diskutoi gjithashtu për një takim të afërt midis presidentëve Trump dhe Zelenskiy-t.
"Ata janë në proces të planifikimit të takimit," tha ai. "Të dy do të jenë në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe kjo do të zhvillohet brenda dy javësh.
Takimi i fundit mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një presidenti të Ukrainës ishte në prill të vitit 2016, kur ish presidenti Barack Obama u takua me ish presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko.