Hetimi ndaj Metës, javën e ardhshme seanca dëgjimore

Në Shqipëri, Komisioni hetimor parlamentar i ngritur për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, mund ta thërrasë këtë të fundit në seancë dëgjimore që javën e ardhshme. Komisioni sqaroi gjithashtu gjatë mbledhjes së tij ditën e sotme, se për nxjerrjen e raportit të tij përfundimtar do të presë opinionin e Komisionit të Venecias. Presidenti Ilir Meta reagoi duke folur për një propagandë të nxitur ndaj tij me synim largimin e vëmendjes nga zgjidhja e krizës politike

Komisioni hetimor parlamentar i cili do të vlerësojë ligjshmërinë e akteve të presidentit Ilir Meta për anullimin e datës së zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit miratoi të martën planin e tij të veprimit. Pika e parë është përcaktuar seanca dëgjimore me kreun e Shtetit. “Data më e shpejtë mund të jetë fillimi I javës së ardhshme, por datën dhe orën do ta catojmë në bashkëpunim me nënkryetarin”, deklaroi drejtuesi i Komisionit, socialisti Ulsi Manja.

Your browser doesn’t support HTML5

Hetimi ndaj Metës, javën e ardhshme seanca dëgjimore

Komisioni ka marrë në ndërkohë përgjigjet e disa institucioneve të cilave ai është drejtuar, por duket se vendimtar do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias. Një delegacion i tij ka paralajmëruar një vizitë javën e ardhshme në Tiranë. “Opinioni i Komisionit të Venecias, do të duhet të pritet nga Komision i Posaçëm hetimor, për të arritur në një përfundim lidhur me objektin e hetimit”, shpjegoi zoti Manja. Komisioni ka afat deri më 8 tetor, por nëse opinioni i Venecias do të publikohet përtej kësaj date, atëherë pritet të kërkohet shtyrja e afatit.

Ndërsa Komisioni parlamentar po zhvillonte seancën e tij, presidenti Ilir Meta reagoi përmes një statusi në Facebook. Sipas tij “propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit që është kusht për çeljen e negociatave në 18 tetor nga Bashkimi Europian për vendin tonë. Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj”, shkruajti zoti Meta, i cili prej kohësh këmbëngul se zgjidhja e vetme e krizës politike, është sipas tij zhvillimi i zgjedhjeve vendore në datën e përcatuar prej tij, ndonëse çdo afat ligjor i mundshëm është tejkaluar.

Reagimi i presidentit duket se kishte të bënte gjithashtu dhe me faktin se po sot Komisionet e përhershme parlamentare rrëzuan një sërë dekretesh të firmosur prej tij në fund të muajit korrik, përmes së cilave ai i ktheu pas parlamentit disa projektligje, që nga kontratat koncesionare për ndërtimin e dy akseve rrugore, të ndryshimet në ligjin për Koncesionet, ato në Kodin Penal apo dhe ligjin për Privatizimet si dhe një tjetër për Akademinë e Shkencave