Policia në Teksas po vazhdon hetimet lidhur me motivet e personit që filloi të qëllonte mbi kalimtarët të shtunën në zonën perëndimore.
Policia thotë se personi u ndalua për një shkelje të lehtë. Ndaj tij nuk kishte urdhër-arrresti, por ai reagoi duke u larguar me shpejtësi nga patrulla e policisë rrugore dhe filloi të qëllonte nga makina. Autori i sulmit, Seth Aaron Ator la të vrarë shtatë persona, ndër ta një burrë para shtëpisë së prindërve të tij dhe një adoleshente që kishte shkuar me familjen për të blerë makinë.
Dokumentacioni i gjykatës tregon se 36-vjeçari Ator ishte arrestuar në 2001 për një shkelje të lehtë që nuk e pengonte të blinte armë në mënyrë të ligjshme në Teksas. Për momentin autoritetet nuk kanë thënë si e siguroi ai armën luftarake që përdori për masakrën.