Organizata Botërore e Shëndetit thotë se katër vende të tjera evropiane kanë humbur statusin e tyre të vendeve pa fruth, pasi sëmundja infektive e parandalueshme po përhapet në kontinent. Shqipëria, Republika Çeke, Greqia dhe Britania kanë humbur statusin e tyre të vendeve pa fruth mes lëvizjeve në rritje kundër vaksinimit. Sëmundja konsiderohet epidemi në 12 vende evropiane.
Zyrtarët ndërkombëtarë të shëndetësisë thonë se rastet e fruthit do të dyfishohen në Evropë këtë vit, pasi më shumë vende po humbasin statusin e tyre pa fruth sesa ato që po e fitojnë atë.
"Kjo është hera e parë që ka katër vende në rajonin tonë, Shqipëria, Republika Çeke, Greqia dhe Britania, që në të vërtetë kanë humbur statusin e tyre të eliminimit të fruthit", thotë Dr. Siddhartha Datta nga Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën.
Organizata Botërore e Shëndetit thotë se deri më tani në 48 vende të Evropës ka pasur afro 90,000 raste të fruthit, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, më shumë se dyfishi krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm dy vende, Austria dhe Zvicra, morën statusin e vendeve pa fruth, që do të thotë se ato nuk kanë patur ndonjë rast të ri të sëmundjes në tre vjet.
Fruthi mund të jetë vdekjeprurës, por është lehtësisht i parandalueshëm nga vaksinimi. Por një numër në rritje i njerëzve refuzojnë vaksinimin për arsye fetare ose nga frika se ato mund të shkaktojë dëm.
"Një fëmijë mund të bëhet me aftësi të kufuzuara nga vaksinat. Nëse kjo do të më ndodhte mua unë do ta fajësoja veten gjatë gjithë jetës. Është shumë e trishtuar", thotë Alla Fedorchuk, protestuese kundër vaksinimit.
Qeveritë janë në kërkim të mënyrave për të ndryshuar prirjen, përfshirë vaksinimin e detyrueshëm për fëmijët. Por disa udhëheqës të krahut të djathtë mbështesin thirrje për ta bërë vaksinimin të padetyrueshëm.
"Fëmijët e mi janë vaksinuar. Por unë mendoj se është një gjë personale për të gjithë. Dhe gjithashtu, javën e kaluar lexova për një djalë të ri që pësoi një rast epileptik pasi u vaksinua që rezultoi në dëmtim të trurit. Kjo ju bën të mendoni nëse vaksinimi është një gjë e mirë", thotë Yvonne Verbaan nga qyteti Urk në Holandë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se fruthi është shumë infektiv. Një person i sëmurë mund të përhapë sëmundjen tek rreth 20 persona të tjerë që nuk janë të imunizuar. Ata thonë se vaksina është krejtësisht e sigurt dhe se të gjithë duhet të imunizohen.
"Kjo është një vaksinë që funksionon. Pra, nëse jeni të imunizuar, gjasat që të prekeni nga fruthi për tërë jetën tuaj janë jashtëzakonisht të vogla”, thotë Dr. Katherine O’Brien nga Organizata Botërore e Shëndetit.
Zyrtarët shëndetësorë kanë lavdëruar platformat e mediave sociale, si Pinterest, që në motorët e tyre të kërkimit nxjerrin vetëm rezultatet nga institucionet me reputacion si Organizata Botërore e Shëndetit, Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Akademia Amerikane e Pediatrisë në përpjekje për të eliminuar dezinformatat në lidhje me vaksinimin