Bolton, në Kiev për të "nënvizuar mbështetjen amerikane" për Ukrainën

Këshilltari i Shtëpisë Bardhë për sigurinë kombëtare John Bolton ndodhet në Kiev, vizita e parë në Ukrainë e një zyrtari të lartë amerikan që nga zgjedhja e Presidentit Volodymyr Zelenskiy në muajin prill.

"Ambasadori Bolton ka ardhur për të nënvizuar mbështetjen e SHBA ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe rrugës euro-Atlantike të Ukrainës," tha ambasada amerikane në Kiev.

Një ditë më parë, zoti Bolton komentoi në Twitter se Uashingtoni mbështet "përpjekjet e reformës dhe vizionin e Zelenskiy-t për një Ukrainë më të fortë dhe më të begatë", ndërkohë që vazhdojnë luftimet midis forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të vendit.

Po të martën, administrata presidenciale në Bjellorusinë fqinje tha se zoti Bolton do të shkojë në Minsk për bisedime me Presidentin Alyaksandr Lukashenka gjatë javës, por pa dhënë një datë të saktë.

Qeveria e një tjetër republike ish-sovjetike, Moldavia, tha më herët se zoti Bolton do të vizitojë Kishinevin në 29 gusht.

Turneu i zotit Bolton në Evropën Lindore ka shumë të ngjarë të irritojë Moskën, e cila vitet e fundit është përpjekur të rivendosë ndikimin e saj në ish republikat Sovjetike.