Përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit për Iranin Brian Hook tha të martën se Uashingtoni dëshiron të sigurojë që nafta që po transporton anija çisternë iraniane "Adrian Darya" të mos përdoret nga Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit për të financuar operacionet e saj.
"Ne po ndjekim lëvizjet e saj, por po ndjekim të gjitha lëvizjet e të gjitha anijeve çisternë iraniane" tha zoti Hook.
Ndërkohë Greqia njoftoi të martën se nuk kishte patur ndonjë kërkesë nga një anije cisternë iraniane për t’u ankoruar në një nga portet e vendit. Deklarata vjen ndërsa Uashingtoni i ka bërë thirrje Athinës, të mos i ofrojë ndihmë anijes.
“Adrian Darya 1”, që fillimisht mbante emrin “Grace 1” u largua nga Gjibraltari më 18 gusht. Sipas informacioneve të martën anija çisternë po udhëtonte drejt portit grek të Kalamatës në bregdetin jugor të Peloponezit dhe është planifikuar të mbërrijë aty më 26 gusht.
"Anija po lundron me shpejtësi të ulët dhe ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar se do të mbërrijë në Kalamata. Ministria e Tregtisë Detare po monitoron situatën së bashku me ministrinë e Jashtme të Greqisë" tha një zëdhënës i ministrisë së Transportit.
Anija u lëshua nga autoritet e Gjibraltarit pas një bllokimi pesë-javor në lidhje me dyshimet se po transportonte naftë iraniane në Siri në shkelje të sanksioneve të Bashkimit Evropian.
Menjëherë pas vendimit, një gjykatë federale amerikane urdhëroi konfiskimin e anijes, por kërkesa u refuzua nga Gjibraltari.
Teherani tha se çdo veprim i SHBA-së për të konfiskuar përsëri anijen do të kanë "pasoja të rënda".
Më herët Uashingtoni tha se i kishte përcjellë qeverisë Greke "qëndrimin e tij të fortë" lidhur me cisternën, që transportonte rreth 2 milionë fuçi naftë.