Vazhdojnë protestat në Hong Kong

Aktivistëve pro-demokracisë së Hong Kong iu bashkuan të shtunën mësuesit e shkollave. Protestat vazhdojnë tashmë prej rreth 3 muajsh duke u shdërruar në një lëvizje për reformave demokratike në vend. Ndërkohë vazhdon të ekzistojë frika e një ndërhyrje të dhunshme nga ana e Pekinit.

Mësuesit thonë që duan të tregojnë mbështetjen e tyre për protestuesit, shumë prej të cilëve janë studentë.

"Duhet t'i mbështesim më të rinjtë, madje edhe mësuesit. Ata janë të gjithë studentët tanë. Qëllimet e tyre janë të mira", Wat Yin Wan 70 vjeç, mësues në pension

Mësuesit protestuan edhe përpara selisë qeveritare të udhëheqëses së Hong Kongut, Carrie Lam.

"Për shkak se mësuesit janë edhe qytetarë, ata janë të shqetësuar rreth këtyre zhvillimeve. Ne kemi një rol tjetër, duam të mbrojmë nxënësit tanë, të rinjtë tanë. Pra mësuesit janë të gatshëm të dalin dhe të flasin për të rinjtë dhe gjithashtu të qëndrojnë pranë tyre, në mënyrë që ata të mos jenë vetëm”, thotë Fung Wai Wah Presidenti i Unionit të Mësuesve Profesionistë të Hong Kongut.

Demonstratat nisën si protesta paqësore kundër miratimit të një projektligji që parashikonte ekstradimin për procese gjyqësore në Kinë. Që atëherë ato janë shdërruar një lëvizje për reforma demokratike. Të tjera protesta janë planifikuar të mbahen përgjatë ditës së shtunë e të dielë.

Ndërkohë vazhdon të egzistojë frika e një ndërhyrje të dhunshme nga ana e Pekinit. Presidenti Trump thotë se nuk do të donte që një gjë e tillë të ndodhte. Ai i përcolli një mesazh presidentit kinez.

"Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Presidentin Xi dhe vë bast që nëse ai do të ulej me protestuesit, një përfaqësi të tyre, do ta zgjidhte këtë çështje për 15 minuta. E di që kjo nuk është në praktikën e tij, por mendoj se nuk do të ishte një ide e keqe".

Por disa analistë thonë se nuk ka "asnjë shans" që udhëheqësi kinez të takohet me protestuesit. Sipas tyre vlerësimi që zoti Trump i bën atij është i pakuptimtë, parë nga këndvështrimi kinez.

"Xi nuk emocionohet nga kjo gjë. Nuk ndërton marrëdhënie për shkak të kësaj. Nuk ka asnjë përfitim të kërkosh të forcosh imazhin e tij në sytë e disa prej njerëzve të tij, e në dëm të disa të tjerëve që vuajnë nën sundimin komunist kinez”, thotë Walter Lohman, Fondacioni Heritage.

Protestat zakonisht janë organizuar në fundjavë, por protesta më e fundit në aeroportin Hong Kongut u shtri edhe më tej, duke shkaktuar probleme të mëdha për disa ditë për një prej qendrave më të ngarkuara ajrore në botë si dhe nxitur përleshje mes demonstruesve e policisë.

.