Autoritetet maqedonase po shprehin shqetësim, disa javë pas zbardhjes së skandalit të korrupsionit, të njohur si "zhvatja" ku përflitet përfshirja e mundëshme e Prokurores së posaçme. Ndërkaq, komuniteti ndërkombëtar bëri thirrje për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut, që së shpejti pritet të bëhet anëtari i tridhjetë i NATO-s.
Your browser doesn’t support HTML5
Zyrtarë të lartë të pushtetit në Maqedoninë e Veriut po tregohen të angazhuar për të shtuar masat kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, pas skandalit të publikuar në shtypin italian.
Qeveria ka formuar të martën një ekip operativ për luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit me qëllim të arritjes së drejtësisë, siç thuhet në një komunkiatë të qeverisë.
Ekipi do të drejtohet nga nënkryetari i qeverisë dhe ministër i brendëshëm, Oliver Spasovski, ndërsa aty do të bëjnë pjesë ministrja e Drejtësisë, zëvendës-ministri i Punëve të brendshme, drejtorët e Byrosë për siguri publike, të Policisë financiare, të Doganave, të Drejtorisë së të hyrave publike dhe zyrtarë e ish-zyrtarë të shërbimit sekret.
Autoritetet qeveritare me këtë mbase vënë në pikëpyetje besimin e prokurorisë dhe organeve të hetuesisë, apo mund të kenë ndonjë tjetër motiv, por është ky pushtet që bëri para disa muajsh ligjin e amnistisë për lirimin e një duzine personash, ndër ta deputetë të parlamentit të akuzuar për vepra të rënda siç ishte nxitja e dhunës së përgjakshme në parlament.
Ndërkaq, Kabineti i Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka lënë të kuptohet se presidenti nuk ka diskredituar prokurorinë publike kur u shpreh të hënën se duhet që hetimet të jenë të efektshme, të shpejta dhe të plota. Përkundrazi, presidenti ofron mbështetje dhe do të bëjë ç’mos që të mbrojë prokurorët nga trysnia eventuale gjatë procesit të hetimeve dhe zbardhjes së plotë të rastit “zhvatja”, thekson kabineti i presidentit Pendarovski.
Lidhur me skandalin kanë reaguar edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.
Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn shkruan në twitter se lufta kundër nivelit të lartë të korupsionit duhet të vazhdojë pa ndërprerje. Në lidhje me rastin e ri, komisioneri shkruan se “është me rëndësi të vendoset përgjegjësia ligjore për të gjitha krimet, përfshirë ato që dalin nga përgjimi joligjor i telefonatave”.
Edhe ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrnes ka shkruajtur në twitter se “këto janë akuza të rënda të cilat kërkojnë përgjigje serioze, të plota, transparente dhe në kohë. Tash është koha për Maqedoninë e Veriut që të tregojë zotimin ndaj mbështetjes së sundimit të ligjit”, shkruan ambasadorja Byrnes.
Ndërkohë, gazetari me origjinë sllovene Laris Gaiser i cili publikoi skandalin në gazetën italiane La Verita, i ka thënë sot një radioje italiane se nuk është vegël e askujt, duke hedhur poshtë akuzat që vijnë nga Shkupi se ai kishte lidhje të ngushta me partinë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, eventualisht të ishte bërë pjesë edhe e një komploti italo-hungarez, sipas shtypit në Shkup, për rrëzimin e kryeministrit Zoran Zaev nga posti.
Në videon e publikuar në La Verita duken shuma të mëdha parashë që biznesmeni Jordan Kamçev i jep një personi kontravers të quajtur Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13 në shou-biznesin e Maqedonisë dhe Serbisë. Por në audio-regjistrime dëgjohet edhe zëri i Prokurores së posaçme në largim Katica Janeva, që dyshohet si pjesëmarrëse në skandal. Akti është cilësuar si zhvatje ndaj biznesmenit Kamçev, i cili auzohet për një tjetër vepër penale ndërsa me këto para synonte blerjen e lirisë së tij nga paraburgimi.