Tani që Shtetet e Bashkuara janë zyrtarisht jashtë Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi, ose INF me Rusinë, po shtrohen pyetje të rëndësishme lidhur me faktin se çfarë sinjali i përçon botës anulimi i marrëveshjes historike të raketave. Këtë javë Uashingtoni u tërhoq nga pakti, pasi akuzoi Moskën për shkelje të tij. Tani shumë po pyesin se ç’vjen më pas. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Yulia Savchenko njofton nga Moska.]]
Nënshkrimi i traktatit të INF-së nga Ronald Regan dhe Mikail Gorbaçov në vitin 1987, u përshëndet si fillimi i fundit të Luftës së Ftohtë.
Pas shumë dekadash, dështimi i saj po ngjall shqetësim në të gjithë botën, përfshirë Moskën.
"Me tërheqjen e Uashingtonit nga traktati, iu dha një goditje e rëndë sistemit të kontrollit të armëve, për të cilin u deshën dhjetëra vjet të formohej. Është e pashmangshme që do të ketë pasoja të mëdha për sigurinë ndërkombëtare dhe sistemet strategjike të stabilitetit."
Shtetet e Bashkuara dhe NATO ishin pro tërheqjes nga traktati, duke thënë se Moska ka vite që e shkel atë.
Ata thonë se Rusia vendosi sisteme të raketave kruz që hidhen nga tokanë shkelje të paktit dhe nuk dha asnjë sinjal se kishte në plan t’i rikthehej zbatimit, një pretendim që Moska e mohon.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres po i nxit të dy palët të gjejnë një mënyrë të re për kontrollin e armëve.
"Bota do të humbasë një instrument të paçmuar ndaj luftës bërthamore dhe kjo ka gjasa ta rrisë, jo ta reduktojë kërcënimin e paraqitur nga raketat balistike. Çfarëdo që të ndodhë, palët duhet të shmangin zhvillimet destabilizuese dhe urgjentisht të kërkojnë marrëveshje për një rrugë të re të përbashkët për kontrollin ndërkombëtar të armëve".
Analistët në Moskë thonë se të dyja palët do të duhet të tregojnë vetëpërmbajtje.
"Pa dyshim, nëse raketat e rreze të mesme veprimi vendosen në Evropën Qendrore dhe Lindore, atëherë stabiliteti strategjik do të përkeqësohet në mënyrë dramatike. Në rast të vendosjes së raketave amerikane, Rusia do të duhet t’i përmbahet doktrinësë së goditjes parandaluese", thotë Dmitry Suslov i Qendrës për Studime Gjithëpërfshirëse Evropiane dhe Ndërkombëtare.
Zëvendës Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergey Ryabkov zotohet se Moska nuk do të vendosë raketa ruse, nëse SHBA nuk e bën një gjë të tillë më parë. Dhe Moska u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të nënshkruajnë një moratorium ndaj vendosjes së raketave me rreze të ndërmjetme.
“Unë mendoj se shanset për nënshkrim të këtij moratoriumi janë minimale. Unë do të mbështesja nënshkrimin e këtij dokumenti, por duket se ka një pengesë të madhe: të dyja palët duket se nuk janë të angazhuara plotësisht kur bëhet fjalë për bisedimet për ruajtjen e regjimit të kontrollit të armëve në një formë ose tjetrën".
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA John Bolton thotë se Shtetet e Bashkuara synojnë të hartojnë një marrëveshje të re për kontrollin e armëve me Rusinë dhe Kinën.
Administrata Trump ka shprehur optimizëm se një pakt i ri mund të arrihet. Udhëheqësit rusë thonë se ata do të jenë të hapur për negociata.