SHBA, ashpërsohet më tej polemika mes Presidentit dhe ligjvënëseve demokrate

President Donald Trump këmbënguli të dielën se katër ligjvënëset demokrate që u përkasin pakicave, me të cilat ai është konfliktuar kohët e fundit, nuk janë "të afta për ta dashur vendin tonë".

"Ato duhet t’i kërkojnë falje Amerikës (dhe Izraelit) për gjërat e tmerrshme që kanë thënë," shkruante Presidenti Trump në Twitter. "Ato po e shkatërrojnë Partinë Demokrate, por janë qenia të dobëta dhe të pasigurta, të cilat nuk mund ta shkatërrojnë kurrë kombin tonë të madh!"

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1152912995938443269

Prej disa ditësh, zoti Trump ka sulmuar kongresmenet Ilhan Omar të Minesotës, Alexandria Ocasio-Cortez të Nju Jorkut, Ayana Pressley nga Massachusetts dhe Rashida Tlaib nga Miçigani, fillimisht duke u thënë atyre se duhet të "kthehen" në vendet e tyre dhe "t'i rregullojnë gjërat", para se t’u tregojnë Shteteve të Bashkuara se çfarë duhet të bëjnë. Të gjitha ato janë qytetare amerikane, tre prej tyre të lindura në Amerikë dhe refugjatja somaleze Omar është shtetase e natyralizuar.

Demokratët dhe disa republikanë i kanë kritikuar ashpër komentet e zotit Trump dhe Dhoma e Përfaqësuesve i ka dënuar ato si "raciste", por udhëheqësi amerikan ka vazhduar t'i sulmojë katër ligjvënëset, të gjitha të sapozgjedhura në Kongres dhe që kanë filluar nga puna në janar.

Nga ana e tyre, ligjvënëset e kanë sulmuar presidentin Trump. Zonja Omar ka thënë: "Unë besoj se ai është fashist".

Lufta verbale e vazhdueshme u pasqyrua në emisionet televizive të lajmeve të së dielës.

Mercedes Schlapp, një ndihmëse e fushatës së zotit Trump, e mbrojti presidentin, duke thënë në ABC News, se "Kam punuar me Presidentin Trump për dy vjet dhe ai nuk është racist. Ai është një njeri i dhembshur, politikat e të cilit janë të fokusuara tek komuniteti në pakicë".

Këshilltari për emigracionin i Presidentit Trump, Stephen Miller, tha për televizionin Fox News se komentet kritike të zotit Trump për politikat amerikane gjatë fushatës së vitit 2016, ai i bëri nga dashuria për Amerikën.

Por ai shtoi se "ka një ndryshim të madh" midis kredos së zotit Trump për promovimin e idesë "Amerika e para" dhe ideologjisë së ligjvënëseve, "që e ul Amerikën".

Ligjvënësi demokrat Elijah Cummings, njëri nga disa prej kryetarëve të komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve që hetonin Presidentin Trump dhe politikat e administratës së tij, i tha televizionit ABC se ai beson që zoti Trump është racist.

Zoti Cummings tha se katër ligjvënëset e vëna në shënjestër nga zoti Trump "e duan vendin e tyre" dhe duan t’i afrohen më pranë "bashkimit më të përsosur që kishin parasysh etërit tanë, themelues të kombit amerikan. Kur nuk pajtohesh me presidentin, papritur je një person i keq", - tha ai.

Ligjvënësi Cummings përfundoi: "Besnikëria jonë nuk është ndaj presidentit. Besnikëria jonë është ndaj Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan".